Rudi Vata është gjith monë i informuar dhe në kontakt me zhvillimet në futbollin shqiptar. Verë, plazh dhe shumë nxehtë, por ishkapiteni i Kombëtares është gjithmonë aty për të bërë analizën e ngjarjeve të fundit. Nga paraqitja e skuadrave në Europë, përfshirja e Kukësit në dyshimet e kompanive të basteve, zgjedhja italiane te Partizani, largimi i De Biazit dhe afrimi i Panuçit, Vata analizon gjithçka.

“Shqipëria është futur tashmë në vazon e dyshimtë. Në ato që përfliten për Shqipërinë, sigurisht që ka të vërteta. Sepse vetë mentaliteti dhe kultura jonë është e lidhur me korrupsionin, të paktën në këto 27 vitet e fundit. Një ndeshje e trukuar nuk ka asgjë më pak sesa korrupsion”, thotë fillimisht Vata.

Ndërsa largimin e De Biazit e komenton kështu: “Unë mendoja se De Biazi do të largohej mbas Kampionatit Europian. Atij i ndodhi pak a shumë ajo që unë e mendoja. Diku me tradhti dhe diku nuk u vlerësua, kjo ishte pak a shumë ajo që i ndodhi atij me Shqipërinë”, thotë Vata.

Çfarë përshtypje keni nga përfaqësimi i skuadrave shqiptare deri më tani në Europë?
Nuk mendoj se ka pasur ndonjë president klubi që ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e ekipeve shqiptare në Kupat e Europës. Presidentët janë njerëzit që harxhojnë paratë për të ndërtuar ekipin që ta nxjerrin në Europë.

Dhe ai klub që merr pjesë në Kupat e Europës, presupozohet që fiton të ardhura nga UEFA për të siguruar më pas një pjesë të shpenzimeve për sezonin pasardhës.

Në fund të fundit, paratë janë ato që i gëzojnë shqiptarët më shumë sesa rezultatet. Partizani kishte investuar shumë gjatë kampionatit të kaluar dhe mendoja se mund të bënte më shumë në Europë. Edhe Kukësi mendoja se do të kualifikohej pasi ishte në një sfidë ku shanset ishin 50 me 50%.

Për të mos folur më pas për Tiranën që mori një goditje të madhe me zbritjen nga kategoria dhe nuk mendonte kush për kualifikimin në Europë. Partizani dhe Kukësi kishin investuar shumë dhe luftuan deri në fund për titullin, por morën pak ose aspak nga ajo që shpresonin të përfitonin. Megjithatë, tashmë gjithçka ka mbaruar dhe skuadrat duhet të përqendrohen te sezoni i ardhshëm për të bërë më shumë.

Por, Skënderbeu i kaloi dy ture dhe ka shanse që të kualifikohet për në “playoff”…
Sigurisht, Skënderbeu ka bërë një paraqitje pak më të mirë. Por, edhe ata, me lojën që bënë në Çeki ndaj Mladës, m’u dukën një skuadër e dobët dhe pa shpresë për të kaluar më tej.

Ishte një ekip normal dhe i thjeshtë përballë një rivali të një niveli jo shumë të madh. Me atë lojë që pashë në Çeki, them se Skënderbeu është paraqitur dobët dhe mendoj se edhe ata që sponsorizojnë për klubin, nuk kanë mbetur të kënaqur. Sigurisht, duke mos pasur edhe ato të ardhura që dëshirojnë të kenë me pjesëmarrjen në Europë.

Duke parë humbjen 2-1, sa shanse ka Skënderbeu që të kalojë në turin tjetër?
Shanset janë, por mendoj se është e vështirë. Skuadra çeke i ka shënuar dy gola dhe tregon se është një ekip që di të shënojë. Në dy takimet e turit paraardhës shënuan pesë gola dhe në tre takime, megjithëkëtë ndaj Skënderbeut kanë realizuar shtatë gola. Dhe kjo tregon qartë forcën e tyre në sulm.

Partizani ka marrë një trajner italian me pak eksperiencë, edhe pse ishlojtar i njohur si Mark Iuliano. Ka bërë mirë apo keq?
Koha do vërtetojë gjithçka. Te Partizani tani po punohet me një stil italian. Moxhi ka shumë eksperiencë dhe ka bërë gjëra të mëdha në futbollin italian. Ka qenë futbolli më i mirë në Europë kur ai ka punuar. Por, në futbollin shqiptar nuk ka barazi në fushë. Për mendimin tim, Partizani është një klub që po kërkon të arrijë gjëra të mëdha. Iuliano është një ish-lojtar i madh, por si trajner nuk ka shumë eksperiencë.

Por, mendoj se do t’i shërbejë shumë Partizanit kjo zgjedhje. Gjithashtu, do t’i shërbejë shumë edhe imazhit të futbollit shqiptar. Me eksperiencën që ka si ish-lojtar apo edhe si trajner, ka një bagazh të mirë dhe ka se çfarë të sjellë te Partizani dhe në Shqipëri gjithashtu. Do të jetë interesante pasi gjithmonë të huajt mund të sjellin progres dhe diçka ndryshe. Në fund të fundit, ne jemi aty për të kopjuar dhe mësuar diçka prej tyre. Si lojtar ka fituar Champions, tituj në Serinë A dhe trofe të tjerë dhe janë njerëz që kanë se çfarë t’i ofrojnë futbollit shqiptar.

Ne duhet të mësojmë dhe kopjojmë prej tyre. Edhe ai vjen për të ndërtuar një karrierë “alla-De Biazi”. Me atë që ka bërë De Biazi në vendin tonë, i ka ndryshuar imazhin dhe mënyrën si e perceptojnë tani italianët Shqipërinë. Edhe vendi ynë ka bërë progres dhe Shqipëria tashmë është një vend që mund t’u përshtatet shumë mirë italianëve apo trajnerëve të tjerë të huaj. Edhe këta trajnerë mundohen të shfrytëzojnë këto eksperienca për të rritur piacën e tyre dhe vazhduar më pas karrierën.

Si Iuliano te Partizani apo Panuçi në Kombëtare, janë trajnerë të rinj që kanë mundësi të bëjnë hapin e rëndë- sishëm. Është në interesin e përbashkët të të dyja palëve dhe nuk ka asgjë të keqe këtu. Çdo emër i huaj dhe serioz që vjen në Shqipëri, është mirë dhe duhet parë gjithmonë me pozitivitet.

Ndërkohë, De Biazi u largua pas një fitoreje të bujshme në Izrael. U befasuat dhe si e shpjegoni pse ndodhi?
Unë mendoja se De Biazi do të largohej mbas Kampionatit Europian. Atij i ndodhi pak a shumë ajo që unë e mendoja. Diku me tradhti dhe diku nuk u vlerësua, kjo ishte pak a shumë ajo që i ndodhi atij me Shqipërinë.

U tradhtua nga njerëz të ndryshëm. Bëri maksimumin me Kombëtaren, por më la shije të keqe largimi i tij. Nuk ishte mënyra e duhur për të ikur. Provoi edhe ngjitjen, edhe zbritjen në vendin tonë. Por, të paktën iku duke bërë diçka që nuk e realizoi askush tjetër. Megjithatë, nuk iku si kampion dhe i lumtur, por në një mënyrë që nuk la fare shije të mirë.

Ishte faji i tij që nuk u largua që pas Europianit, apo nuk e mendonte se do të tradhtohej kështu siç po thoni?
Ai besoi më tepër se duhej. Dikush i ka bërë premtime që nuk kanë qenë të vërteta. Kur një trajner mbërrin kulmin me një vend të vogël dhe një skuadër si Shqipëria, mendoj se bëri zgjedhjen e gabuar që vazhdoi. Por, tashmë edhe është harruar. Këtë të mirë kemi ne shqiptarët, të ngremë shpejt në qiell, pastaj të harrojmë po kaq shpejt. De Biazi është një histori e kaluar. Tani të shohim se çfarë do të bëjë Panuçi.

Ç’mendim keni për zgjedhjen e Panuçit dhe çfarë prisni se mund të bëjë me Kombëtaren?
Në aspektin e emrit që ka si lojtar, të gjithë e dinë se kush është dhe nuk ka nevojë për koment.

A e ka eksperiencën e De Biazit apo jo?
Këtë mbetet për ta parë. Për mendimin tim, është thuajse e pamundur që të arrijë atë që bëri De Biazi duke e çuar Shqipërinë në Europian. Ka përvojën si lojtar, por edhe si trajner ka mësuar nga Kapelo. Ka punuar me lojtarë të niveleve të mëdha, ndërsa futbollistët e Kombëtares janë disi më poshtë. Mbetet për t’u parë se si do të adaptohet. Si lojtar ka arritur majat duke provuar profesionalisht nivele shumë të larta.

Të shohim se si do të gatuhet me “gjellën shqiptare” dhe a do të jetë i kënaqur me mënyrën si do pritet dhe do komunikohet me të. Shpresoj që të bëjë mirë pasi do ishte investim i shkuar dëm. De Biazi e kuptoi që mentaliteti ynë ishte i gabuar dhe punoi dy vite për ta ndryshuar atë. Ai eliminoi shumë lojtarë që konsideroheshin të mëdhenj dhe krijoi grupin. Të shpresojmë që edhe Panuçi do të bëjë mirë./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: