Nga ENIDA HIMAJ*

E dënuan për politikë se do të  arratisej jashtë shtetit, kur diçka e tillë s’i kishte shkuar kurrë në mendje. Arrestimi i Rukie Ramës në dimrin e ’75-ës, nuk i ngjante asnjë historie nga ato që rëndom jemi mësuar të dëgjojmë gjatë regjimit, pavarësisht se u servir si e tillë. Motivi i prangosjes së mësueses së bukur të bjeshkëve të Tropojës nuk lidhej me armiqësinë me sistemin. Rukie Rama kishte rënë viktimë e një tjetër armiqësie: Kishte refuzuar t’i nënshtrohej një zyrtari të lartë të Sigurimit dhe kishte përfunduar në qelinë e shpagimit. Historia e saj përfundimisht do të koleksionohej në një dosje nga ato të tipit ‘sekret’, me emra e ngjarje të trilluara që nuk e përmbante askund të vërtetën e ndëshkimit.

Sidoqoftë, ajo, me forcën e karakterit të saj, mundi ta kapërcejë këtë e të ngrihet më e fortë, për ta denoncuar fuqishëm atë, që fate të tilla të mos i përjetonin shoqet e saj. E ndëshkuara prej bukurisë dhe lakmisë së të plotfuqishmëve të sistemit, zbulonte një tjetër aspekt të panjohur të karakterit pervers të përfaqësuesve të regjimit. Në një intervistë për “GSH”, Rukie Rama pranon të tregojë “dosjen” e vërtetë të dramës së saj, duke vënë gishtin te protagonisti që urdhëroi çeljen e dosjes-fantazmë që do t’i rrëmbente ditët më të bukura të rinisë.

“Dosjen time e çeli Feçor Shehu, kur refuzova të shkoja një natë në shtrat me një funksionar të lartë të Ministrisë së Brendshme”. Përtej debateve për hapjen e dosjeve, që ka përfshirë Tiranën kohët e fundit, Rukie Rama përcjell nga Brukseli, ku jeton prej vitesh, mesazhin e trishtë se procesi tashmë mund të jetë i pabesueshëm, jo vetëm për vonesat e tejzgjatura, por edhe për mënyrën komprometuese si është operuar me to gjatë kësaj kohe nga autoritetet zyrtare…

Zonja Rukie, çfarë mendoni për debatin e fundit për hapjen e dosjeve të Sigurimit, duke qenë se dhe ju jeni një ndër viktimat e regjimit komunist?

Hapja e dosjeve, fjalë dhe zhurmë e kotë. Po të kishte një lloj predispozicioni, qoftë edhe minimal, këta 25 vjet ato do të ishin hapur disa herë e do të ishte mbyllur ky kapitull përfundimisht. Me sa duket, kjo nuk i ka interesuar klasës politike, atyre që kanë drejtuar vendin gjatë kësaj kohe. Tani jo vetëm që është vonë, por procesi dyshoj se mund të jetë komprometues. Kur them këtë kam parasysh atë që mund të jetë bërë me dosjet gjatë kësaj periudhe, ku lloj-lloj zyrtari ka bërë çfarë ka dashur me to…

Me aq sa keni mundur të merrni vesh më pas, kush e hapi dosjen tuaj?

Dosja ime është hapur me urdhrin e drejtpërdrejtë të Feçor Shehut, asokohe drejtor i përgjithshëm i Sigurimit të Shtetit. Nuk di çfarë është koleksionuar aty, por e vërteta e saj nuk ka të bëjë fare me motive politike, sikundër më akuzonin se do të arratisesha në Jugosllavi. Diçka e tillë nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. madje nuk kisha arsye, unë, një mësuese e besuar e malësive të Tropojës, të braktisja vendin, familjen, nxënësit e mi të dashur që më donin dhe i doja me gjithë shpirt…

Pra, ka pasur një shkak tjetër arrestimi juaj?

Një shkak banal desha të them, që edhe pas kaq vitesh më vjen zor ta përmend. Një funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, mik i ngushtë i Feçor Shehut, më kërkoi të flija një natë me të dhe unë e refuzova. Kjo ishte arsyeja që Feçor Shehu, ky maniak seksual, në formë shpagimi, por edhe për të fshehur gjurmët e marrëzisë, urdhëroi hapjen e dosjes sime. Nuk e di ç’ka mbetur e shkruar në atë dosje nga kjo e vërtetë, por di të them se, kur u dënua Feçori, dikush ia vuri në dukje edhe këtë. Jo se i vinte keq për mua, por i duhej për ta fundosur sa më thellë. Këtij Feçorrit dhe shpurës që mbante afër, sa i dëgjoj emrin më rrëqethet mishi…

E keni marrë vesh që së fundi një bashki në Shqipëri e ka shpallur “Qytetar Nderi” Feçor Shehun?

Mos o Zot më keq! Kjo është shprehja që përdoret më shpesh nga anët tona në raste fatkeqësish, e pastaj, për të ngushëlluar vetveten biseda vijon: ka keq e më keq! E dëgjova nga televizori se u vlerësua figura e Feçor Shehut, u bë “Qytetar Nderi”. Turp, njëqind herë turp! Ata që e kanë dekoruar, jo vetëm nuk kanë mëshirë për vuajtjet tona, por i sjellin opinionit si model një bastard, një kriminel që nuk ka lënë gjë pa bërë, madje edhe përtej ligjeve të kohës. Është kjo një arsye më shumë që më bind për arsyen e vërtetë pse nuk janë hapur dhe nuk do hapen dosjet tona. Në këtë linjë, rasti i Feçor Shehut nuk është i vetëm. Çuditërisht, kjo demokraci alla shqiptarçe po rehabiliton, madje po nderon me solemnitetet persekutorët e regjimit. Një plagë kjo që me sa duket nuk ka për t’u shëruar kurrë.

Mendoni se kemi të bëjmë me një fenomen apo është një rast i shkëputur?

Kur rasti pasohet nga raste të shumta të kësaj natyre, siç ka ndodhur në të vërtetë, kjo në tërë kuptimin e fjalës është një fenomen. Një fenomen tronditës madje! Para disa kohësh, nga një udhëtim që po bëja me tram në Bruksel, më zuri syri një person i cili më ngacmoi në plagë. Pasi plaga, sado që të mbyllet, prapëseprapë diçka mbetet prej saj, ndryshimi i kohës e ngacmon. Pra bëhen shumë faktorë që nuk të lënë të harrosh. Pse u ngacmova në këtë udhëtim në Bruksel? Prania e këtij tipi që po udhëtonte bashkë me mua në këtë mjet publik, më ktheu prapa në kohë. Ky ishte një nga zyrtarët e besuar të atij regjimi, që në atë kohë bëri një skenë të dhimbshme e antinjerëzore me time më. Ajo ishte nisur për të ardhur te burgu për të më sjellë ndërresat dhe ndonjë ushqim që lejohej në kushtet e qelisë. Meqë koha ishte e kufizuar për orarin e vizitave, ajo provon të marrë shkallët e Komitetit për të shkurtuar pak distancën për të arritur në orar. Por një instruktor i këtij Komiteti, i cili kishte dalë në oborr, tundte zinxhirët dhe kulloste sytë në ndonjë kalimtare dhe, me një shprehje prej sadisti, i kthehet: ‘Ku shkon ti, nëna e krimineles? Nuk ke të drejtë të hipësh në këto shkallë! Vajza jote është armike e popullit!’ Dhe kjo nënë, me shpirt ndër dhëmbë, e djersitur nga lodhja fizike, i lutet: ‘Më lë bre bir, se po shkoj në Degë të Brendshme, se e mbyllin derën e kam dy javë që nuk i kam sjellë ndërresa, e nuk kam mundësi të vij të dielën tjetër’. Por personi, zyrtar i besuar, është i patolerueshëm. E kthen mbrapsht. Sa e sa të tjerë ka kthyer mbrapsht ky zyrtar i pashpirt në ato vite kur krekosej me kollaren e kuqe dhe teserën e partisë në xhep. Unë di me dhjetëra raste që ky tipi në emër të partisë i ka degdisur në ferrin e burgjeve të komunizmit. Si për çudi, ky person tani është në të njëjtin mjet udhëtimi me mua dhe kaq shumë ndihem në pozicion të vështirë, saqë në stacionin e parë zbres nga trami që të mos e shoh atë fytyrë bajate. Por çudia nuk mbaron me kaq! Në një aktivitet që po shihja në ekranin e televizionit, pikërisht ky tipi kishte ngritur dy gishtat dhe bërtiste: PD, PD. I demokratizuari së fundi më në fund ishte shpërblyer nga partia në pushtet dhe kishte ardhur në Bruksel (!) Vallë, a ka ndonjë parim në këto tranzicione, ndonjë etikë, ndonjë normë? Se po më duket se po bëhet lojë karrigesh, pasi nuk jam në gjendje të kuptoj kush ka të drejtë të quhet demokrat sot; ai që për 30 vjet ishte anëtar i PP, fuks i Sigurimit, hetues, operativ? Ishte në ato kohë në organe ekzekutive dhe sot më flet mua për demokraci!

Pra, ju mendoni se po të ishin hapur dosjet, ky person që ju thoni dhe të tjerët, do të kishin marrë ndëshkimin moral minimalisht?

Thuhet ‘të hapen dosjet’, kërkohet me forcë nganjëherë në raste fushatash, por mjerimi më i madhi i të përndjekurve politikë është se ne po përdoremi si garniturë në fushata të ndryshme. E çfarë dosjesh mund të hapen pas 25 vitesh kur ato janë kaluar me dhjetëra herë në duart e atyre që i kanë pas bërë? Pra, kanë hequr dhe kanë vënë çfarë kanë dashur ata që kanë çelur këto dosje dhe po këtyre ua kanë lënë nëpër duar. Nga tërë grupi i atyre që hapën e realizuan procesin ndaj meje, pjesa më e madhe e tyre sot janë noterë, inspektorë, avokatë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Ata gjatë kësaj periudhe kanë shkuar dhe kanë gërmuar në dosjet e atij procesi. (Unë kam fakte për këtë.) Jo se do kishin frikë nga unë, se përsëri isha e pafuqishme, por tani si demokratë u duhej të mos ishte emri i tyre në ato veprime çnjerëzore që kanë bërë. Megjithatë, dosjet nuk i thonë të gjitha…

Njeriu duhet të jetë realist në të shprehurit e disa gjërave, pavarësisht nga kohët që kalojnë, dhe në të vërtetë nuk kanë qenë të ligjëruara torturat që na bëheshin dhe kemi kaluar në kurrizin tonë. Pra këto nuk janë të regjistruara në dosjet tona, por janë të betonuara në mendjet dhe zemrat tona, janë të dokumentuara në fizikun tonë, siç është gishti i dorës sime. U bë një eksperiment mbi qenien time dhe vërtet këtë e bënë në Pukë, ku prej aty përfundova në burgun e Tiranës. Shumë e bukur është një shprehje që thuhet nga një mendimtar egjiptian: Njeriu nuk gjykohet nën torturë. Megjithatë, këta sadistë përfitonin të vilnin ndonjë fjalë që mund të thonim ne në agoni të shpirtit nga dhimbjet e padurueshme që na shkaktonin. Dukemi të qetë ne të shkretët, por shpirti vlon e zien gjithnjë. Si mund të harroj burrelasit, që për hobi, për të kënaqur ndoshta sytë e tyre, se ishte një vajzë e re dhe jo e shëmtuar, eksperimentonin me tortura për të parë si do katandiseshin gjymtyrët e saj?! Si mund të harroj 12 janarin e vitit ’75, kur të gjitha qelitë e Bajram Currit u ndynë nga jashtëqitjet tona, se na u dha një ushqim i prishur dhe nuk i hapi kush dyert e qelive për të shkuar në atë pseudobanjë që përdorej nga më shumë se 30 vetë dhe shumë rrallë kishte ujë të rrjedhshëm. ‘Lum si budallai’ – thotë Balzaku, dhe ndoshta do ishte mirë të jesh budalla; sikur themi ne malësorët: ‘mirë kos e mirë tamël’. Pra budallai pranon çdo gjë që i serviret. Është data 22 janar ’75, po më kthejnë nga Tirana. Është shumë ftohtë. Në Tiranë këtë radhë më sollën për të vërtetuar atë që unë kisha gjënë më të shenjtë, për të manovruar ta mohonin atë gjë, për të rekrutuar ndonjë person që nuk kishte shtyllë kurrizore, por falë mjekëve të maternitetit të Tiranës, emrat e të cilëve nuk ka rëndësi t’i përmend, por që ishin intelektualë, prindër dhe nuk pranuan asnjë kompromis për të njollosur figurën e mjekut dhe shkruan ashtu siç ishte. Kisha tri ditë pa futur gjë në gojë. Më harruan apo e bënë qëllimisht, nuk e mora vesh kurrë, por di se mezi qëndroja në këmbë. Shoqëruesit e mi, të famshmit hetues, donin të hanin nga një mish të pjekur në Gjegjan të Pukës dhe duke mos pasur besim të më linin në makinë, edhe pse isha e lidhur, u detyruan të më merrnin në mensë. Kurrë nuk më hiqet nga mendja fytyra e kuzhinierit në sportelin e kuzhinës. E mori me mend që jam e burgosur dhe i thotë kamarierit: ‘Thuaji hetuesit që t’i lejojnë një makaron asaj vajzës’, dhe tinëzisht kishte futur një copë mish poshtë atyre makaronave. Por përmetari vigjilent, hetuesi, e kuptoi atë hile dhe dha urdhër ta hiqnin. Megjithatë, hëngra dy lugë makarona pas tri ditësh dhe më erdhi pak forcë. Sigurisht, ky hetues tani është i vdekur, pasi atëherë ishte rreth të 60-ave, po patjetër fëmijët e tij janë diku të privilegjuar.

Shumë herë hezitimi për hapjen e dosjeve justifikohet me faktin se gjatë regjimit të gjithë kanë qenë të persekutuar; si e vlerësoni ju këtë?

Sa shumë revoltohem nganjëherë kur thonë: ‘Kemi qenë të gjithë të persekutuar’. Sa gabim bëjnë këta njerëz! Si nuk e kuptojnë vallë që ngulin gjilpëra në shpirtrat tonë të dërrmuar? Si mund të krahasohet një i burgosur në qeli, i rrahur e i torturuar, i pangrënë e i ngrirë nga të ftohtët me një person të lirë, punonjës ministrie, kuadër e dikastere apo dhe punonjës në një kooperativë a fermë, por të paktën nuk iu është mohuar ajri, uji, e drejta për të folur, e drejta për të parë njerëzit e vet. Rregullisht përcjell zhvillimet kudo në botë. Me shumë të drejtë, shprehen gjermanët: E patëm problem kur hapëm dosjet, se ishin kundërshtitë brenda në familje. Një spanjolle donte të dinte kush ia kishte vrarë të atin; jo për t’u hakmarrë, por thjesht donte ta dinte. Por unë që i kam pasur 43 dëshmitarë kundër, pa llogaritur disa që kanë qenë kontingjent i Degës së Punëve të Brendshme, 1200-lekëshat, që janë përdorur gjithnjë. Pra unë debatova me të gjithë e mjerimi më i madh ishte se shumë prej tyre kurrë s’e kuptova pse hynë në atë valle. Apo u bë deti kos, duke mos llogaritur që po vrisnin një njeri, duke mos menduar se po luanin me zemrën e një nëne. Vallë në atë kohë, ku ishin këta demokratët e sotëm, që asnjë nuk ngriti krye në mbrojtjen time, por me të vërtetë u paskam pas bërë hije këtyre njerëzve me aftësitë e mia intelektuale e organizative, sa për pamjen time ishte dhuratë e Zotit dhe unë isha e dashuruar me veten, me lulet e fushës së Bytyqit, me karafilin e Gjerovicës, me puhinë e liqeneve të Sulbicës, me profesionin tim. Për mua, nxënësit e mi ishin jeta ime dhe, ashtu siç ishin lule ata, luftoja t’ua bëja lule dhe ambientin ku shkolloheshin. E sa për dijeni, kufirin territorial të vendit tim, qoftë në bjeshkë, qoftë në vrri, nuk e kam pasur më larg se një orë në këmbë, por kurrë nuk më ka shkuar në mendje që ta kaloj kufirin e vendit tim për ndonjë jetë më të mirë diku tjetër.
Pra po dekorohet Feçori, Vito Kapo, u demokratizuan hetuesit dhe sekretarët e partisë dhe dekoratat vazhdojnë për gjithkënd, meritë e pa meritë. Po udhëtoja në avion, po kthehesha nga Shqipëria, dhe në klasin e parë të tij ishte një jurist, punonjës i shtetit shqiptar. Si për çudi, i pashë një çantë që mbante në dorë dhe ecte i krekosur. Çmimi i asaj çante ishte 3500 euro dhe për ne të përndjekurit nuk po mjafton fondi për asgjë. Po tkurremi dhe strukemi gjithnjë derisa të na mbulojë dheu. Kjo është e vërteta që është në vendin tim, kjo është ajo lojë fjalësh që bëhet, kjo është loja e karrigeve. Është demokraci. E fillova me fjalën popullore ‘Mos o zot më keq’ dhe po e mbyll me këtë shprehje: ‘Gjëja që gjendet rrallë është e shtrenjtë; edhe e drejta, pse është e shtrenjtë, rrallë gjendet’. Po shtoj dhe diçka. Kur Frojdit i kërkuan të edukojë një katërvjeçar, ai tha: ‘Është shumë vonë’. Po këta njerëz vallë, që po bëjnë e zhbëjnë çdo ditë teori?!

(Vijon nesër)

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb