TIRANE- Deputeti demokrat, Genc Ruli e ftoi dje kryetarin e partisë, Lulzim Basha të lexojë si duhet humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Sipas ish-ministrit të qeverisë “Berisha”, selia blu duhet të reflektojë pse populli e nxori në opozitë. “PD-ja vjen nga 2013-ta, ku pësoi një humbje elektorale, të cilën duhet ta lexojë se për cilën arsye elektorati nuk e votoi. Pra, e thënë ndryshe, PD duhet t’u tregojë shqiptarëve që jo vetëm është ndryshe nga modeli ‘Rama’ i qeverisjes, por që PD ka reflektuar dhe është ndryshe edhe nga ajo që ka qenë para 2013″, – u shpreh Ruli në një intervistë për “Vizion Plus”.

Mandej ai ka qenë i prerë kur tha se demokratët duhet të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme vetëm me aleatët tradicionale. Sipas tij, opozita ka vetëm një rrugë për fitoren, rrugë ku partia e udhëhequr nga Ilir Meta, nuk ka vend. “Unë s’e di kush e ka shtruar çështjen për koalicion.

PD është një forcë politike historike, në pushtet ka ardhur dhe është mbajtur me votën që ka marrë nga elektorati i saj dhe për më tepër në këtë komplikim, po e quaj në thonjëza komplikim, që i është bërë skenës politike shqiptare ku kemi 3 faktorë, kemi PD, LSI dhe PS. Unë do thosha që do ishte mirë të shkëputeshim nga një fenomenologji që ka nisur nga 2009, të tria këto forca të konkurronin me flamurin e tyre dhe të merrnin votat që u takon dhe jo të dilnin para elektoratit me formula koalicionesh.

PD padyshim do dalë e vetme para elektoratit, e vetme me të gjithë aleatët e mundshëm që ajo do mund të grumbullojë, partitë që kanë qenë tradicionalisht aleate të saj dhe të matet para shqiptarëve pikërisht me votën e saj në skenën politike”, – u shpreh Ruli.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: