“I uroj më të mirën Lionel Mesit, por këtë herë do të jemi kundërshtarë”. Janë këto fjalët me të cilat Ivan Rakitiç i drejtohet shokut të tij të skuadrës te Barcelona, ndonëse sot do të ketë yllin argjentinas si kundërshtar, për ndeshjen e dytë të Grupit D, e cila është jetike mbi të gjitha për amerikano-jugorët. Kroacia, e cila fitoi në debutim kundër Nigerisë, me një tjetër sukses apo edhe me një barazim, mund të prekte 1/8-at, prandaj duke parë që ka disa vite që luan me Lionel Mesin, Ivan Rakitiç tregon mënyrën sesi mund të frenohet Argjentina.

“Në një Botëror nuk ka skuadra të lehta, por kur përballë ke Argjentinën dhe Lionel Mesin, marzhi i vështirësisë është edhe më i madh. Nuk kam folur me të përpara kësaj sfide, sepse përqendrimi është i zhvendosur diku tjetër dhe pa dyshim që edhe atmosfera është e ndryshme, duke parë tensionin që të dhurojnë këto ndeshje. Gjithsesi, nëse do të takohemi në fushë, por për 90 minuta do të jetë kundërshtarë mes nesh. Si mund të ndalet Mesi? Nuk ka asnjë mënyrë sesi të ndalet Mesi, por Argjentina ka edhe shumë elementë të tjerë të rëndësishëm.

Pa dyshim që nëse i limitojmë kontaktin që ai ka me sferën në fushë, shanset për ne që të dalim me pikë, ose të fitojmë takimin do të jenë sigurisht shumë më të mëdha. Duhet të mësojmë nga Islanda dhe sfida që ata bënë, sepse u treguan të duruar dhe arritëm që të shfrytëzojmë gabimet e Argjentinës. Ne jemi gati për këtë duel dhe do të bëjmë gjithçka për të ndalur Mesin”, tha mesfushori 30-vjeçar kroat.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/rakitic-i-bindur-nese-frenojme-mesin-nuk-humbim/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb