TIRANE- Odhise Andrea, bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, i cili u vetëdorëzua tre ditë më parë në polici pasi akuzohej bashkë me bashkëshorten për korrupsion pasiv ka mundur t’i shpëtojë burgut, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur sot të ndryshojë masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Ndërsa në polici nuk pranoi të japë shpjegime se si hyri në Shqipëri, në seancën e gjyqit, siç raporton gazetarja Klodjana Lala për BalkanWeb, Andrea pranoi “se kishte zgjedhur këtë mënyrë” (ilegale) për tu kthyer, nga frika se mos e ndalonin autoritetet italiane, si person të shpallur në kërkim prej 7 muajsh.

Ish-Këshilltari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, akuzohet se ka luajtur rolin e sekserit në një çështje të bashkëshortes së tij, ku dyshohet se përfituan 50 mijë euro për të dhënë vendim në favor të një shtetaseje, për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit. Por sot në sallën e gjyqit, Odhise Andrea deklaroi se e ka marrë për biznes shumën e parave nga Petraq Dashi, një tjetër i arrestuar për dosjen.

Sipas gazetares Klodiana Lala, Andrea deklaroi në sallën e gjyqit se edhe udhëtimin në Itali e kishte planifikuar para ndalimit dhe se nuk ishte arratisur nga vendi.

Prokuroria e Përgjithshme më 16 korrik 2016 zbardhi skemën e dhënies së parave si dhe personat e përfshirë në këtë skemë korruptive. Ndërsa vendimi që shkoi në favor të palës që kishte paguar shumën në fjalë dhe është marrë më 12 korrik 2016, një ditë pasi u morën paratë. Në burg për këtë çështje janë Ilia Çabiri dhe sekseri Petraq Dashi, ndërsa me “detyrim paraqitjeje” shtetasja Eleni Lino.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: