Nga ILIR SINANAJ

Në Shqipëri Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump është ende i panjohur nga media, opinioni publik i propaganduar në media dhe politikanë në përgjithësi, e për rrjedhojë nuk mund të thuhet se kasta jonë politike e mbështet atë. Pse e them këtë? Zgjedhja e Donald Trump nga qytetarët amerikanë ne mendimin tim vuri një standard të ri botëror për rrjedhën historike të zhvillimeve: ky është standardi i punës dhe prodhimit. Them botëror sepse ndikimi i SHBA-ve në botën e ndërlidhur nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe shkëmbimeve ekonomike është i ndjeshëm në mbarë planetin.

Them standardin e punës dhe prodhimit sepse nëse do të ndjekim veprimtarinë e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ashtu siç e nxjerr në rrjetet sociale (jashtë ndikimit të koalicionit mbarëkombëtar të mediave-kazan antiprodhim dhe antiprogres, që përpiqen t’i vënë shkopin ndër rrota administratës Trump), ajo bazohet mbi prodhimin ekonomik dhe zhbllokimin e fuqive prodhuese dhe krijuese që sjellin mirëqenie ekonomike dhe zhvillim. Pra me pak fjalë, mendësia dhe mënyra e të vepruarit e Presidentit Donald Trump është e kundërta e mendësisë dhe të të vepruarit “alla OJQ” me projekte shterpë dhe me “financime të dyshimta”, që mbajnë të bllokuara fuqitë prodhuese dhe krijuese, për hir të interesave të errëta “shfrytëzuese”.

Në teatrin politiko-ekonomik shqiptar, për sa u tha më lart, mungon mendësia e të vepruarit alla Donald Trump. E për rrjedhojë asnjë lider i partive të mëdha nuk mund të quhet një aleat apo përkrahës i politikës së Presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Kjo për faktin se kemi mbi një muaj, që nëpërmjet makinacionit të çadrës në mes të bulevardit kryesor të Tiranës, “koalicioni” i partive të vjetra, po e përdor për të shmangur veprimtarinë e tyre të përditshme (deri në ditën e zgjedhjeve), ku për qytetarët shqiptarë mbetet pa përgjigje pyetje: Çfarë do të hamë dhe ku do të punojmë për të prodhuar?

Ndërkaq, krerët e partive politike në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë nisur një fushatë vetëinterpretimi, sesa i mbështet apo jo Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Mendojnë të mjerët se në dinamikën e botës që po ndryshon, në këtë mënyrë tribale do të mbajnë pushtetin.

Një nga këto përpjekje është së fundmi u vu re nga ana e personave pranë kryeopozitarit Lulzim Basha. Një artikull i botuar në portalin amerikan të lajmeve “Breitbart”, menjëherë u shpërnda dhe u interpretua nga përkrahës të kryeopozitarit Basha si një “mbështetje” e Presidentit i SHBA-ve Doanld Trump ndaj tij. Në mendimin tim ky artikull shërbeu më shumë për t’i vënë “serumin e reanimacionit politik çadrës” në mes të bulevardit, sepse me atë që është duke bërë Basha si kryetar i opozitës, është shumë larg një mendësia prodhuese dhe e punës që i përshtatet mënyrës së të vepruarit të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump.
Breitbart
Ndërkaq në këtë artikull të “Breitbart” ka një citim interesant të kryeopozitarit Basha: “Jam sulmuar ashpër nga ai (Soros) e njerëzit e tij dhe gjithashtu nga media ndërkombëtare sepse jam mbështetës i Trumpit”. Lind pyetja kur u bë kryeopozitari Basha një ithtar kaq i flaktë i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, aq sa media ndërkombëtare ta sulmoi atë (nuk duhet të harrojmë se media me sulme apo me ledhatime, ndaj Bashës, po luan funksioni e mbajtjes ende gjallë çadrën politike të bulevardit)? Po kështu lind edhe pyetja: po gjatë fushatës presidenciale të SHBA-ve, vitin e kaluar, pse vallë kryeopozitari Basha shkoi gjithë gaz e hare vetëm tek Konventa e Kombëtare Demokratëve në Filadelfia, ku Hillary Clinton u emërua si kandidatja presidenciale demokrate për zgjedhjet e SHBA-ve?

Dhe së fundmi në artikullin e “Breitbart” lexuesi ka disa paqartësi. Në fillim kryeopozitari Basha cilësohet si ish-kryebashkiak i Tiranës, ndërsa në dy rastet e tjera si kryebashkiak. Zyrtarisht nuk është kryebashkiak i Tiranës.

Për ta mbyllur, nëse politikanët tanë duan të shfaqën aleatë të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, kjo bëhet vetëm nëpërmjet vepra; pra, me më pak fjalë dhe më shumë punë në kuadrin e ekonomisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb