“Qëndrimi im në stol ishte si të blesh një Ferrari dhe ta mbash në garazh”. Kështu u shpreh Armando Sadiku pas largimit ngë Legia Warsaw.

Kjo frazë e sulmuesit të Kombëtares ka bërë shumë bujë dhe ende pas disa kohësh vijon të diskutohet. Së fundmi kanë qenë gazetarët polak të cilët në intervistën e fundit të trajnerit të Legia-s, Romeo Jozak, kanë bërë ironi me deklaratën e ‘bomberit’ shqiptar.

“Profesor, çfarë makine ngisni?”-ishte pyetja e parë që gazetarët polak i drejtuan trajnerit. Ky fundit nuk e kuptoi ku donin të dilnin dhe u shpreh:

“Kam një Jaguar XJ në Kroaci. Për vite me radhë ishte një makinë që e dashuroja, por nuk mund ta përballoja. E kam blerë dy vjet më parë. Këtu në Varshavë përdor një Volvo, që klubi ma ka dhënë për punë. Pse po pyesni?”, shprehet Jozak.

Kur trajneri e kupton pse ia bënë një pyetje të tillë, ai vijoi: “Epo unë nuk jam nga ata djem që përdorin Ferrari. Seriozisht tani. Kur në tri ndeshjet e para luajtëm me një sulmues, Armando Sadiku e nisi nga minuta e parë, duke e pasur shansin e tij. Jarek Niezgoda ishte një zëvendësues dhe me shumë mundësi të gjithë e dinë se si shkoi. Djali me të vërtetë e shfrytëzoi më së miri shansin e tij, ai bëri një progres të madh dhe personalisht nuk do të habitesha nëse do të ftohej nga Polonia në Botëror”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb