TIRANE– Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka përfunduar dëshminë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Seanca zgjati rreth 1 orë, ndërsa Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën për bllokimin e pasaportës dhe ndalimit për t’u larguar jashtë Shqipërisë. Mësohet se Saimir Tahiri ka thënë në seancë se Gjykata duhet të heqë masën e bllokimit të pasaportës, pasi Prokuroria nuk ka prova të reja, por i ka pasur në dosje që në datë 20 tetor.

Thirrja e Tahirit është bërë në bazë të procedurës së kodit penal, ku personi ndaj të cilit është marra masa thirret brenda 5 ditësh për t’i komunikuar masën. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se ish- ministri u thirr për të dëshmuar nga gjyqtarja Liliana Baku dhe u shoqërua nga avokati i tij, Maks Haxhia.

Pas seancës dëgjimore, avokati i Tahirit tha se do të apelojnë vendimin brenda një afati 5 ditor.
“Do apelojmë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila është kthyer në një noter të Prokurorisë. Nuk ka asnjë rrezik që Tahiri të largohet jashtë vendit. Klienti im është i gatshëm të përballet me drejtësinë. Nuk ka fakte dhe prova të reja”- tha avokati Maks Haxhia.

Ish-ministri Tahiri iu përgjigj të gjitha çështjeve që kanë dalë nga përgjimet e Habiljave dhe të dhënat e tjera të siguruara nga Prokuroria. Në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i bllokoi pasaportën Saimir Tahirit, pjesë e argumenteve janë edhe disa përgjime të reja, që janë paraqitur si provë nga Prokuroria.

Kjo masë u mor nga Krimet e Rënda me kërkesë të prokurorisë, pas analizimit të dosjes së dytë prej afro 2 mijë faqesh që mbërriti nga Italia.

Në këtë dosje Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët, lakojnë emrin e ish-ministrit, i cili nga përgjimet rezulton se ka përfituar dhurata të majme nga grupi kriminal.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga analizimi i provave dhe fakteve, rezulton se Saimir Tahiri në kohën kur ushtronte funksionin e ministrit të Brendshëm, ka përkrahur Moisi Habilajn dhe bashkëpunëtorët e këtij të fundit, në aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit të narkotikëve.

tahiri

(d.d/BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: