Emocione të pafund ka dhuruar fundi i ndeshjes në “Premier League” mes Liverpool dhe Tottenham. Në një sfidë ku përballeshin jo vetëm dy klubet, por edhe dy yje si Mohamed Salah dhe Harry Kane, në fund nuk mund të ketë fitues, pavarësisht se të dy palët u munduan shumë t’i bënin keq njëra-tjetrës.

Mohamed Salah zhbllokoi takimin ende pa nisur mirë. Egjiptiani i dha avantazhin të besuarve të Jurgen Kloop që në minutën e 3-ë. Do të kalonin shumë kohë, jo pa spektakël në fushën e lojës, deri në golin e barazimit. Wanyama në të 80-n shërbeu për të ndezur në maksimum përballjen, duke vendosur përkohësisht baraspeshën.

3 minuta nga fundi arbitri do të akordonte penallti për ‘spursat’, duke iu dhënë mundësinë për një 3 pikësh të artë në “Amfield”. Është Harry Kane, kundërshtari më i madh i Salah për golashënuesin në kampionat, ai që merr përsipër ta ekzekutojë.

Fatmirësisht për Liverpool anglezi nuk e dërgon topin në rrjetë, ndërsa nga ana tjetër është ‘sprintieri’ Salah që në minutën e parë shtesë i dërgon shifrat në 2-1 për Liverpool, duke shënuar golin e dytë personal.

Pritej vetëm vërshëllima e arbitrit, por kurrsesi Harry kane nuk mund të largohet nga fusha pa i bërë ‘keq’ Liverpool dhe Muhamed Salah. Nëse në rastin e parë nuk arriti, në penalltinë e dytë të akorduar për Tottenham, Kane barazoi shifrat në minutën e 95-t, duke vulosur edhe shifrat përfundimtare të takimit.

Pas 26 ndeshjesh në kampionat, Liverpool renditet në vendin e 3-t me 51 pikë, ndërsa Tottenham pozicionohet i 5-i me 49-t pikë. Sa i takon listës së golashënuesve udhëheq Harry Kane me 21 gola, pas tij Salah me vetëm 1 gol më pak.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb