TIRANE- Sekretari për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, thotë se sistemi për përzgjedhjen e fituesve në universitete është i dështuar, pasi ka krijuar kaos dhe paqartësi. Në studion e “News24”, ai tha se me këtë mënyrë të përzgjedhjes së maturantëve rikthehet korrupsionin në sistem.

Salianji u shpreh se aktualisht, vetëm 15% e maturantëve e dinë se ku do studiojnë, ndërsa për të tjerët është e paqartë. Ai tha se faza e dytë mund të zgjasë deri në 10 tetor, e një fazë e tretë do ta shtyjë fillimin e universitetit deri në 1 nëntor.

“Kanë bërë një ligj që i kanë dhënë fuqi prapavepruese, dhe nuk i kanë dhënë mundësi maturantëve të veprojnë. Zgjedhjet e tyre ishin bërë më parë, dhe nuk patën mundësi të ndryshonin gjë. Ndodhen në një situatë sot të një kaosi total. Nuk ka vend për koment, kur kryeministri nuk përgjigjet por i bën akuza opozitës. Ne jemi opozitë dhe mbrojmë zërin e refugjatëve. Maturantët nuk i gënjen dot. Ata po akuzojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin dhe Ministrinë e Arsimit, dhe po kërkojnë atë që u është thënë, pra në bazë të meritë preferencës. Deri në 20 kanë të drejtë të regjistrohen maturantët e parë që kanë dalë fitues. Jemi në një situatë ku 15 % e maturantëve e dinë ku do studiojnë. 85% të tjerë nuk e dinë se deri ku mund të rezultojë fitues i pari, apo i fundit.

Nëse një student regjistrohet në një degë, atëherë nuk mund të ikë më nga aty, pra humbet të drejtën për një preferencë më të lartë. Qeveria dhe ministria kanë vendosur kritere që nuk kanë qenë në nisje të studimeve. Rikthen korrupsionin në universitet. Deri në vitin 2005 ka pasur akuza për testime të dala, për ryshfet. Nga 2005 deri në 2013 gjeni një kronikë që ka pasur akuzë për korrupsion me pranimin në universitet. Kryeministri të japë vetëm një rast. Në 8 vite nuk ka pasur asnjë akuzë për korrupsion. Kjo është një lënie e përgjegjësisë në derën e tjetrit, tek opozita. Ka lënë deri në datën 20 afatin fundor të regjistrimit. Nga 20 shtator do jenë 20 ditë të tjera, deri në 10 tetor, e pastaj do ketë një raund të tretë deri në 1 nëntor. Do të ketë nisje me vonesë të universitetit. Duhet t’i kthehen sistemit nga e para, të veprojnë sipas modelit meritë-preferencë dhe të zgjidhen nga e para”, tha Salianji.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb