ITALI – Ermal Meta, i cili konkurron për të dytin vit në Sanremo, mbrëmjen e djeshme është vlerësuar me çmim. Kantautori shqiptar i cili garon mes këngëtarëve më të sukseshëm ndër vite të muzikës italiane, zuri vendin e parë duke fituar çmimin “Cover 2017”. Meta, këndoi këngën “Amara terra mia” kënduar më vitin 1971 nga Domenico Modugno.
Në vendin e dytë pas tij u rendit Paola Turci, dhe në të tretin Marco Masini. Mbrëmjen e sotme është gjysmëfinalja, ndërsa në finale nga 20 konkurrentë aktualë do shkojnë 16 këngëtarë.

Ermali ka lindur në Fier dhe që në moshën 13-vjeçare jeton në Itali. Këtë vit në festivalin e muzikës italiane ai prezantohet me këngën Vietato Morire” (E ndaluar të vdesësh), e cila u prit me mjaft mirë nga publiku dhe kaloi në natën finale të festivalit.

Si krijimet e tij të mëparshme, edhe kënga që paraqiti mbrëmjen e së martës në skenë trajton një temë të fortë: atë të dhunës në familje. Ermal Meta ka nisur karrierën e tij me grupin Ameba e më pas me La Fame di Camilla, me të cilin qe paraqitur në Sanremo në kategorinë e të rinjve në vitin 2006, e më pas në 2010.

Prej disa vitesh ai po paraqitet si solist, por është shumë i vlerësuar për kompozimet. Ka shkruar disa prej këngëve më të njohura të Patty Pravos, Marco Mengonit e Giusy Ferrerit. Nuk kanë munguar edhe këngët në shqip që kanë zënë vend në albumet e tij.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb