Nga: Monika Shoshori STAFA

Me shkas nga romani i A. Pezës “Sarah”

Hapat e shpejtë tek i rreshtoja ushtarakisht nën adrenalinën e fortë pothuaj të çdo mëngjesi, i gëzoja gjithmonë si tik-taket e reja të një dite në zgjim, anipse edhe në këtë cep të rrëmujshëm të Ballkanit jeta asnjëherë nuk lindej e shuhej e qetë. Ndoshta, sepse ishte pikërisht kjo rrëmujë që na diktonte edhe ndodhitë e reja të qytetit, të cilat kishin kohë që nuk më habisnin më. E kundërta do të ishte lajm. Botimi i një libri p.sh., apo muzika jazz që lëshohej prej orëve të mesnatës në një ambient intim.

Nëse një qeveri do të kish dëshirën e mirë për t’ia ndriçuar sado pak imazhin këtij vendi, atëherë nuk do të duhej kurrë të kursente ca para më shumë, për të paguar një ekip kineastësh nga Hollivudi të ekranizonin këtë histori të shkruar këtu. Lexoje,- më tha Alfred Peza, pasi e lëshoi dukshëm me forcë librin mbi tryezën ku ishin vendosur dy filxhanët e kafesë sonë të mëngjesit. Dhe e besoj se do më japësh të drejtë, mu drejtua gati-gati i imponuar, ndërsa filxhanët lëvizën jo pak prej vendit. E mësuar prej kohësh me gjuhën e atyre që bënë media në këto 27 vjet tranzicioni në Shqipëri, nuk bëra asnjë çudi edhe në vazhdim me ngulmimin e tij, se ky do të ishte një nga librat më të mirë të pas viteve ‘90. Përse jo, xhanëm,-i thashë, duke ia njohur penën, njeriut që e nisi prej pasionit profesionin e tij, por që me sa duket nuk arriti dot t’i bindej deri në fund pafajësisë që ai zanat të fal kur e bën mirë. E vërteta është se, në fakt, nuk u entuziazmova aq shumë prej Fredit, duke e njohur po aq mirë racën tonë të gazetarit. Askund dhe asnjëherë ata/ato se kanë besuar se mund të jenë ndonjë ditë vdekatarë të zakontë të kësaj bote, për nga bëmat, por sigurisht dhe për nga pena; aq grinjarë për të marrë çdo gjë që kanë para syve, po aq edhe vetshkatërrues sigurisht; sa ulëritës nën pushtetin e paskrupullt të parasë me të cilën nuk ngopen kurrë, po aq të pafajshëm kur ‘liria’ për të cilën kanë luftuar që kur ishin studentë, u ka mbetur në dorë; njësh me pushtetin, ndaras me të dobëtin; njësh me interesat, ndaras me vlerat; njësh me tërbimin për të bërë famë, ndaras me punën e ‘të urtit murg’ në deskun e kompjuterit. Me dyshim e pashë pas kësaj gjithë historinë e suksesit apo të mossuksesit të librit, e sigurisht nuk e pranova në vete. Çfarë ke shkruar Fred -nisa ta shpotitja, një histori gruaje? Nuk më çudit te ju të gjithë,-ia ktheva në çast.

Kaq mjaftonte për t’i hedhur ‘kazanit’ të kësaj historie, ngacmimin miqësor të cilin me Fredin e kam pasur që herët. E njohur shumë me historinë e mbretit shqiptar A. Zog, për shkak të një studimi që sapo kisha përfunduar, çdo rresht në faqet e librit filloi të më rrëshqiste shpejt. Në qendër të librit, është Shqipëria, e cila nën peshën e mjerimit që la pas perandoria osmane shfaqet e lodhur dhe e frikësuar prej intrigave për të kapur pushtetet dhe dilemave të së ardhmes, aty ku dhe fshihet kryearsyeja e sekreteve më përvëluese e izolimit të saj.

“Do të jetë një hap i pashembullt sfidues, që mund të ndryshojë njëherë e përgjithmonë orientimin qytetërimor të këtij vendi, drejt një identiteti të ri”. Ky pohim mund të jetë një prej kumteve të shumta mbikohore që shoqëron historinë e vendit të vogël ballkanik, hedhur gjithmonë pa një plan konkret në tryezat e aleatëve të huaj. Këto janë disa nga fjalët e Fuad Beut, personazhit që gjithkush nga ne, nuk besoj se do të mundohej shumë për t’ia gjetur emrin e vërtetë. Ai duket se shfaqet si hije brenda librit, vetëm në ca faqe të pakta, për t’i thënë hapur autoritetit më të lartë politik shqiptar se tani pas asaj mbrëmjeje të Vitit të Ri 1926, për këtë vend nuk mund të ketë më asnjë dilemë. “Nga ajo mbrëmje feste, jeta e tij dhe ajo e Shqipërisë kishte nisur që të ndahej qartazi në dy epoka; në jetën përpara dhe pas asaj feste në ambasadën amerikane. Në jetën përpara dhe pas atij shkarkimi frenetik energjish, nga rënia në kontakt me lirinë e pafre. Në jetën përpara dhe pas Sara Blloshmit.”

Këto fjalë të autorit e madhështojnë kumtin e lëshuar nga goja e një prej personazheve më karizmatikë të kohës, Faik Konicës, të cilin Peza me të drejtë e ka vendosur në pozicionin e duhur të këshilltarit, edhe pse ka qenë një prej kundërshtarëve më të ashpër të tij. Opinioni publik i mësuar me triumfe burrash si gjini, kudo në pushtet apo dhe në familje duket se do të ketë kësaj radhe aleat këtë libër përpos të tjerave edhe për të ç’koduar përshkrimin e mistereve të dashurisë e sidomos në shpërfaqjen e karaktereve të “botës së zonjave”. Por në të vërtetë nuk ka qenë vetëm kështu, nëse lexuesi do të mprehte mirë shqisën jo vetëm të leximit, por edhe atë të receptimit, atë që fle në të shumtën e kohës në nënvetëdije, dhe që në gjuhën e përditshme ne i quajmë instinkte. Përkundër këtij mëtimi jo aq të qartë, Sarah mund të veçohet si një prej heroinave që i bëjnë nder jo një, po disa epokave në tërësi, dhe në përgjithësi lëvizjes së mendësisë së një vendi. Vallëzimi i saj atë mbrëmje të Vitit të Ri është në të vërtetë më se epokal. Liria mund barbarinë, qytetari mund levantizmin provincial, fuqia e individit mund histerinë kolektive. I gjithë rendi i mendimit papritmas kthehet përmbys dhe në këtë rrotullim tronditës duket sikur jo vetëm sistemi politik, por dhe mënyra e të menduarit ka lëvizur nga vendi. “…Në tre të mëngjesit, ndërsa vallëzonin të palodhura, dukej se dy të zgjidhurat nga vargonjtë ende s’po bëheshin të ndërgjegjshme se shkundja e tyre e gjymtyrëve sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë.”

Leximi tradicional që i bëhet romanit “Sarah”, në të shumtën e herës të dëshpëron. Duket se çdo gjë është pashmangshmërisht e njëjtë me Shqipërinë e viteve ’20. Çështje thashethemi, thjesht punë mbipetku, zili të rëndomta grash, një autoritet i lartë që del më pozitiv se turma, një ikonë e bukur gruaje që përdoret si model për të braktisur një epokë, ca politikanë me mendësi turkoshake por që hiqen sa për sfond si perëndimor, burra të frikësuar prej kurmit violet të aromës femërore dhe kaq. Sa herë i kthehesha faqeve të romanit për të mbajtur shënime përbri, e para gjë që më vinte ndër mend ishte se libri të cilin po lexoja nuk duhet ta trajtoja thjesht si një roman historik. Ai nuk ishte i tillë. Heronjtë e librit që sistemet e referencave m’i lidhnin përpos gjithë atyre ngjarjeve që kisha studiuar për kryeministrin dhe më pas Mbretin A. Zog, ishin personazhe që shuplakin. Ata ishin të gjithë pa përjashtim, të vegjël e të mëdhenj, heronj të sfidave të bujshme e të pabujshme me gjithë pasionet e fshehura, shpesh herë edhe të frikshme të tyre. Kështu ka ardhur ky libër i Fred Pezës, si ai e pohon vetë në rreshtat e tij, “…në ato të rralla momente kur koha ndalon dhe instinkti bëhet mbret i gjithësisë… dhe rreth e rrotull nuk ekziston më asgjë tjetër, veç shtysës së brendshme”.

Te “Sarah” duket sikur para lexuesit kalojnë vetëtimthi të gjitha gjendjet e mendësisë së njerëzimit, qysh prej antikitetit deri në kohërat moderne. Ashtu si në epokën apostolike dy mijë vjet më parë në këtë roman, koha dhe gjindja gjykojnë pa mëshirë dhe në mënyrë kanonike-doktrinare një grua të përfolur, për një vallëzim romantik në një mbrëmje të Vitit të Ri, jo larg vëmendjes edhe veshja e saj prej e përdale. Vetë Sarën, ky minim i figurës së saj, e mësoi ta drejtojë jetën në një rrjedhë krejt ndryshe. Gjithçka të sjell ndër mend një shëmbëlltyrë të përbotshme, që gjendet në letërsinë ungjillore, saktësisht gruan mëkatare, që më së shumti identifikohet me Maria Magdalenën e Jezu Krishtit apo Malenën e Tornatores.

“Sarah” nuk është vetëm një roman që rrotullohet mes dilemës së përjetshme të njerëzimit se çfarë duhet të ndjekë njeriu; ngasjen jetësore apo virtytin ungjillor; unin subjektiv apo essin subjektiv; instinktin e brendshëm apo të keqen virale që jetohet rrotull mjedisit të tij; asketizmin apo shpirtin bohem; lirinë apo doktrinën; moralin e vdekatarëve apo predikimin e të pavdekshmëve. “Sarah”, veç të tjerash, duket se është një traktat politik, një platformë a qoftë dhe një projekt, quheni si të doni, se si do të duhet të jetë nesër e në çdo kohë një Shqipëri e vërtetë dhe që në betejën për ta rilindur atë, askush nuk duhet të hyjë me një projekt të vetin personal. Ai që do ta bënte këtë, herët a vonë, do ta shihte veten jashtë. Por a fshihet pas rreshtave të shkruar në këtë libër, një deduksion logjik i autorit mbi vetë jetën e tij? Pasionet, luftërat, sukseset e betejave të mbyllura dhe pambyllura? A përshkruhet në “Sarah” veç të tjerash, edhe rrugëtimi i një jete prej gazetari në përpjekje për të çarë rrethin e çimentuar të një kaste të caktuar shoqërore dhe politike, pjesë e së cilës u përpoq të ishte me ëndrrën se kushdo mund t’ia dalë që të ketë një ditë gjithçka të ofron jeta? Si një ish-gazetar i mirë kronike, A. Peza i ka dhënë kompetence vetes të ndërtojë një ferr dhe një parajsë tjetër, ndryshe prej atyre hyjnore: të gjykojë si në kohën e Krishtit kur puthja e tij me Maria Magdalenën shqetësonte vetë Shën Pjetrin. Sepse të bësh një jetë shenjtori “is boring”, është e mërzitshme, thotë Hugh Grant. Të krijosh duke u mbështetur te vetja si arketip është prova më e vështirë e krijimtarisë. Peza e bën se e ka bërë njëherë e një kohë, por jo vetëm prej kësaj. E bën se ashtu i ndodh çdokujt që në qetësinë e vet relative që të jep largimi prej profesionit, të lindin së brendshmi disa shqisa ndijore, të cilat vetvetiu të çojnë tek ajo çfarë ti ke bërë më mirë në zenithin tënd. Te “Sarah” bashkëkohësia është vetëm një konvencion. Veprimin e saj koha nuk e nxë. Duhet megjithatë një kalendar, ka menduar autori, thjesht sepse ngjarjet duhet të vendosen diku e dikur. Ky është një roman jo vetëm historik. Anamneza mbi këtë vend dhe banorët e tij është një rast studimor, i cili i kapërcen kufijtë e ekzistencializmit. A. Peza është përpjekur të mos mbetet te një ngjarje e vetme brenda një rrafshi kohor. Ai i ka kaluar kufijtë e saj duke na përshkruar psikologjinë dhe antropologjinë sociale të shqiptarit, por ndoshta dhe të vetes së tij, me të drejtën për të gëzuar atë çfarë ai ka menduar se duhet të gëzojë si një e drejtë fillestare e çdo qenie shpirtërore: të kryejë egon e vet. “Njerëz të plotësuar” mund të quhet ndryshe në fjalorin tonë të kazanit mediatik./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: