SARANDE- Tre persona kanë tentuar të kalojnë nga Saranda drejt Greqisë 75 kg kanabis sativa, por janë pikasur nga policia. Sapo kanë vënë re praninë e policisë, ata kanë braktisur lëndën narkotike të ndarë në 4 çanta pranë kufirit të gjelbër, dhe janë larguar.

Sipas Policisë Kufitare të Sarandës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 në vendin e quajtur “Lerat e Vlashit”. Shërbimet e policisë kanë konstatuar tre persona që po transportonin disa çanta shpine, ku dyshohej se kishin lëndë narkotike, dhe janë vënë në ndjekje të tyre.

“Por transportuesit porsa kanë parë se po ndiqeshin nga Policia, kanë braktisur çantat dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të pyllit. Policia Kufitare sekuestroi në cilësinë e provës materiale 4 (katër) çanta shpine të zeza, brenda të cilave gjendej lëndë narkotike e llojit canabis sativa, e paketuar në qese transparente. Pesha e katër çantave është 75 kg. Çantat me lëndën narkotike u bllokuan dhe më pas i kaluan shërbimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë për ndjekje të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, Policia Kufitare në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë po vijon krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tre personave që transportonin lëndën narkotike.

Po kështu, vazhdon puna për identifikimin dhe gjetjen e personave të implikuar në këtë trafik të lëndëve narkotike.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: