Pas shumë negociatash më në fund duket se gjithçka është zgjidhur mes Chelsea-s dhe Napolit për Mauricio Sarri-n. Trajneri italian sipas asaj që ka deklaruar vetë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, shumë shpejt do të jetë trajneri i ‘bluve’ duke zëvendësuar kështu një tjetër italian, Antonio Conte-n.

Kjo lëvizje raportohet të ketë patur një efekt domino. Së bashku me Sarri-n në Londër do të shkojë edhe mesfushori italo-brazilian Jorginho, për të cilin Chelsea ka pranuar të dërdhë 50 mln stërlina në arkat e Napolit.

Kujtojmë që Jorginho pak javë më parë pati arritur akord me Manchester City-n, por transferimi i Sarri-t te Chelsea ka bindur edhe atë që të ndryshojë destinacion.

Për mediat italiane Aurelio De Laurentis ka deklaruar se: “shumë shpejt pritet të mbyllen marrëveshjet. Për Sarri-n çdo gjë varet prej tij, ndërsa për Jorginho-n e patëm thënë se do dëgjonim ofertat.

Duhet t’i kërkojmë falje Manchester City-t, por futbollisti zgjodhi të shkonte në Londër dhe jo në Manchester. Jorginho do të shkonte te Chelsea edhe nëse nuk transferohej Sarri.”

(e.k/BalkanWeb)