TIRANE- Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri në një konferencë për shtyp dha një lajm të mirë për të gjithë drejtuesit e mjeteve në Shqipëri. Ai foli për lehtësimin e procedurave në marrjen e dokumenteve përmes shërbimit E-Albania.

Listës së dokumenteve që tërhiqet on line sipas ministrit, i shtohet edhe vërtetimi për lejen e drejtimit të mjetit, apo autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit.

“Shërbimet që duhet t’i merrnin duke qëndruar nëpër sportele, tashëm i përfitoni online”,- tha ai, duke shtuar se shërbimi do fillojë nga java e ardhshme.

DEKLARATA E PLOTE
Jam sot para jush për të ju komunikuar një tjetër vendim në kuadër të hapave që po ndërmerr qeveria për lehtësimin dhe eleminimin e çdo lloj burokracie të tepërt dhe të panevojshme për marrjen e shërbimeve publike nga ana e institucioneve shtetërore.

Për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-Albania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike të cilave u nevojiten ato.

Duke filluar nga java e ardhshme, asnjë institucion shtetëror, për nevojat e procedurave të veta, nuk do tua kërkojë më qytetarëve konfirmimin për gjendjen aktive të mjetit. Do jenë vet institucionet që do ta bëjnë këtë verifikim përmes portalit online e-Albania.

Autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit dhe vërtetimi për lejen e drejtimit, të cilat janë shërbime me pagesë do të kryhen nga qytetari online. Pra, përmes portalit e-Albania, çdo qytetar që ka nevojë për këto dokumente mund ta bëjë pagesën online dhe gjithashtu merr vërtetimin online.

Gjithashtu, ju bëj me dije se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke studiuar të gjitha aspektet ligjore me synim lehtësimin e procedurave dhe shërbimeve tjera që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me objektiv eleminimin e çdo mundësie për abuzim ndaj qytetarëve.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: