TIRANË- Me një gjuhë jo të thjeshtë për t’u dëshifruar, pak me zhargon e diku-diku me kode, “Dëshmitari X” ose Albert Veliu, një ish-trafikant i dënuar jep shumë të dhëna për aktivitete të jashtëligjshme në Vlorë, duke përfshirë edhe vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Partia Demokratike ka nxjerrë sot dëshminë e tij me zë e figurë, në kërkim të përgjigjeve pafund të lindura nga kjo çështje.

Por dalja para gjithë opinionit publik me emra konkretë dhe me akuza të qarta, për shumë kënd do të thotë të kesh shumë guxim. Ndaj dhe me të drejtë shumë kush ka pyetur se kush fshihet pas audio-përgjimit që implikonte Agron Xhafaj dhe kush fshihet pas “Dëshmitarit X”?

Në fund të intervistës relativisht të gjatë prej më shumë se 16 minutash, Albert Veliu mohon se e ka bërë ai përgjimin, por ama thotë se secili ka mbrojtjen e tij, duke iu referuar vetes dhe Agron Xhafaj. Për më tepër ai këmbëngul se Agroni e gjen se nga kanë ardhur këto përgjime. Ndër të tjera, “Dëshmitari X” thekson se zëri është i Agron Xhafajt dhe se këtë e di e gjithë Vlora.

Ke materiale të tjera ti për Agronin?
Materiale të tjera s’kam ça them unë për Agronin, se ai ka biznesin e tij, jetën e tij dhe mua s’më intereson jeta e tjetrit, mua më intereson…

Në këtë aventurën tënde që thua se e provove e bëre, ke bërë filmime të tjera?
Filmime të tjera unë s’kam bërë, filmime të tjera. Filmimet i ka bërë vetë Agroni, nuk i kam bërë unë dhe aty janë.

Si i ka bërë?
Po ku di gjë unë si i ka bërë, me dashje, pa dashje, i di Agroni, jo unë.

Po ti thua që Agroni ka përgjuar veten?
Po normale, ku di unë ça i është vënë Agronit dhe akuzon Andonin në anën tjetër. Ato të gjitha janë gjëra që janë fakte reale, si zëri që ne kemi folur. Gjithmonë e ha një fukara, nuk e ha një i pasur.

E njohin njerëzit zërin e Agronit?
800 metro larg.

Çfarë thonë në Vlorë?
Po zëri i atij thonë, zëri im, zëri i Ermalit dhe zëri i Altinit. Tani po ka ndonjë zë tjetër, pastaj mund të jetë edhe zëri i plakut tim në varreza. Nuk e di mos është ngjall plaku tim.

D.m.th, ti thua që, të paktën Vlora, qyteti i Vlorës që ju njeh, njerëzit që e njohin janë shumë të bindur për vërtetësinë e zërit që është zëri i Agronit?
Po, çoje ku të duash, ai zë është.

Po ti vetë kur e kujtove bisedën, kur pe këto video përgjimet e kujtove bisedën?
Po normale. Kur unë e pash te djali, te lokali të gjitha këto foljet që u bënë, doli. Të gjitha thëniet që ne kemi bërë, thashë çne këto përgjime ne?!

Domethënë, ti mendon që Agronin e kanë përgjuar të tjerët?
Normale unë s’kam lidhje.

Nuk e ke përgjuar ti?
Secili ka mbrojtjen e tij ore. Ai tijën, unë timen, po nga ka ardhë kjo, e gjen Agroni, këto përgjime. Këto janë gjërat që po të them unë.

Kërcënime nga njeri ke marrë këto kohë?
Po kërcënimi më i bukur që është bërë, t’i vesh djalit te puna, se duam të ruajmë babanë, çne ti, kush je ti që do më ruash mua? Ça kam bërë? Kush të urdhëruar ty, kush të ka dhënë urdhër të vesh tek im bir? Se dikush i madh i ka dhënë urdhër shefit të Krimeve në Vlorë a Rendi ça është…

Po ai mund të ketë vajtur konform ligjeve, rregullave?
Po ku? Mua s’më ka ardhur konform ligjeve “arrest shtëpie”, të vinte të më kontrollonte në shtëpi shteti. Çne emri im? Ku dihet që jam unë i infiltruar nga shoku Agron a është infiltruar në përgjim? Ça lidhje ka emri im në këtë mes?

Po a ke qenë ti që ke bërë atë bisedë me Agronin?
Po, e kam bërë bisedë me Agronin, unë s’e mohoj. I kam bërë ato biseda, siç i kam bërë të gjitha reale, nuk kam ça të mohoj. Por po është përgjuar zotëria, tjetër gjë, unë s’di gjë.

Mirë, edhe ai është kujtuar dhe ka menduar se e ke përgjuar ti?
Po unë s’jam, me se të përgjoj, unë jam një hallexhi. Ato i di ai, që merret me shtet.

Faleminderit!
S’ka asgjë vëllai im!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb