TIRANE-Pas kandidatit të së djathtës për Bashkinë Elbasan, Ardjan Turku, në maratonën elektorale të “Studio e Hapur” vjen rivali i tij Qazim Sejdini. Kandidati i së majtës që është në garë për një mandat të tretë në Elbasan ka folur për programin e tij për qytetin, përballë Lorenc Vangjelit dhe Lutfi Dërvishit.

Sejdini ka folur për problematikat e Elbasanit, dhe për akuzat që i bëhën nga kundërshtarët, për keqmenaxhim të bashkisë, si dhe për një debat të munguar me kandidatin e djathtë për bashkinë e Elbasanit.

Kandidati i majtë është ndalur edhe tek bilanci i 8 viteve të tij në krye të Bashkisë dhe projektin e katër viteve të ardhshme, si dhe tek premtimi për dhjetë mijë vende pune.

Si ka shkuar deri tani fushata juaj?
Qazim Sejdini: Deri tani ka shkuar shumë mirë. Më duket sikur nuk jam në fushatë elektorale, por në buxhetim me pjesëmarrje. Ndihem mirë që edhe njerëzit ndihen mirë. Kam shkelur në 112 fshatra të bashkisë së re, dhe në të gjitha lagjet e qytetit. Do vazhdoj takimet me grupet e interesit. Qytetarët duan të dalin nga gjendja aktuale, kërkojmë më shumë mundësi.

Kandidati Ardian Turku denoncoi një lloj presioni të bërë nga ana juaj ndaj qytetarëve që e mbështesin atë, si dhe faktin që ai ka një lloj censure në televizionet lokale për të mos dalë në media…
Ky është problemi i tij. Unë s’kam ndonjë shqetësim. Një njeriu im ka 33% të aksioneve në një televizion lokal, për të tjerët s’kam asnjë lidhje.

Lutfi Dervishi: Mediat duhet të bëjnë një transmetim adekuat për secilën forcë politike në mënyrë të balancuar. Mjafton një kontroll nga autoriteti përgjegjës për të garantuar mbarëvajtjen, e në rast të shkeljes së ligjit mund të aplikohen masat ndëshkuese.

Lorenc Vangjeli: Ankesa për transmetim apo jo në një ndër tre televizionet lokale të një bashkie është pak e ekzagjeruar në këtë botë të komunikimit masiv. Problemi i vërtetë në këtë histori, i transmetuar dukshëm është tjetër gjë. Dy sondazhe kanë dëshmuar se për çdo votë të djathtë në Elbasan, janë dy ose më shumë të majta.

Lutfi Dervishi: Nëse i referohemi sondazheve apo përvojës tuaj të mëparshme, pse nuk ka një debat me kandidatin e djathtë për bashkinë e Elbasanit?
Qazim Sejdini: Nuk i druhem një debati të tillë. Në rast se jemi në garë hajde merremi më punët e bashkisë, të kritikohemi apo të lavdërohemi për ato që kemi bërë, por jo me familjen. Unë familjen e kam të shenjtë, dhe nuk mund të ulem në tavolinë me një njëri, që më thotë s’di gjë. Qyteti na njeh mirë të dyve.

Lutfi Dervishi: Ka kandidatë që janë banalë, por Elbasani ka dy intelektualë…
Qazim Sejdini: Është zgjedhja e tij. Unë kam një kusht: me mua bëj çfarë të duash. Me familjen time s’ke punë. Unë jam në garë dhe i pranoj të gjitha, por jo familjen.

Është herë e tretë që ju kandidaoni. Kandidoni për një mandat të tretë. Ku e bazoni këtë vullnet për të kandiduar?

E kam dëgjuar shpesh në studio jo tre herë, jo katër herë. Njeriu do kandidojë sa herë e ndjen veten të fortë për të bërë diçka për qytetin e vet. Partia e zgjedh kandidatin në bazë të sondazheve dhe punës. Unë nuk kandidoj për çelësat e bashkisë se ato i kam por dua të bëj diçka për qytetarët te mi. Unë e bazoj te përvoja ime. Kam edhe një pikë të dobët guxoj të bëj gjara më shumë se çduhet për qytetin tim. Jam i angazhuar të realizoj edhe ato gjera që nuk kam pasur mundësi ti realizoj për mungesë fondesh. Nuk gaboj të them se Elbasani ka njeriun e duhur.

A i keni mbajtur premtimet?
Nuk kam bër ndonjë analizë. Ndihem mirë sepse të vesh dorë në 235 objekte nuk është pak. Të bësh 1899 mijë metra katror suvatime nuk është pak. Të mbyllësh mandatin e dytë me një stadium të ri nuk është pak. Projektet në infrastrukturë janë të dukshme. Jam këtu si kandidat, ndaj qytetarët më besojnë më ndjekin. Kam qenë transparent gjatë gjithë kohës. Jam fitues i çmimit të parë në Europën Juglindore për buxhetimin gjinor. Elbasani është për tu marrë shembull. Në 2011 kam edhe një plan strategjik të zhvillimit të qytetit për afatin 2010-2020. Tani më duhet ta pasuroj jo me plan strategjik por me një plan të ri të zhvillimit të Elbasanit.

Në përgjithësi kandidatët që rikandidojnë kanë një problem, nuk janë kaq të kënaqur sa shpreheni ju. Duket sikur ju jeni aq i kënaqur. Sa ka qenë bashkëpunuese opozita kur ishte në qeveri?
Edhe nuk qahem dy vitet e para kam bashkëpunuar. Kur u pa që rritej personaliteti i kryetarit të bashkisë u vu kyçi. Nga 2009-2013 investimet janë të pakta, fonde nga qeveria jo, grantet konkurruese u mbyllën, ato para që fitonim nga ndërtimet u mbyllen. Punët e mira i kemi bërë për 18 muaj. Tuneli është një nga arritjet më të mëdha për qytetin e Elbasanit. Jo vetëm e kam përkrahur dhe mbështetur por dhe e kam falënderuar qeverinë e asaj kohe. Ta gjejnë edhe këta kurajën dhe të falënderojnë për stadiumin dhe impiantin plehrave. Jo vetëm kaq thonë do anulojmë kontratën.

Nëse do bënit një listim të problemeve të Bashkisë së Elbasanit të qytetit dhe komunave të reja. Sa e komplikon kjo punën e një kryetari bashkie dhe sa do jetë e mundur që shërbimet të shkojnë në rrethina?
Shërbimet më të mëdha do shkojnë në komuna. Ka katër probleme ujë i pijshëm, azhurnimi i toke, ujërat për vaditje dhe infrastruktura. Janë shumë pak për një kryetar bashkie. Kam edhe një faturë financiare për këtë punë për 4 vjet. Në pamje të parë duket shumë po për katër vite nuk është shumë.

Sa është kjo faturë?
114 milionë euro është kjo faturë për të gjithë bashkinë me gjithë komunat. 15 milionë euro i kërkoj për rehabilitimin e kanaleve. 5 milionë për rehabilitimin shkollave. 30 për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore. 22 milionë për ujin. 30 milionë euro për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza. 16 milionë për mbylljen e fushës ekzistuese. Kërkoj 28,7 milionë euro në vit.

Kujt ja kërkoni këto para?
Qazim Sejdini: Ja kërkojmë qeverisë. Bëhen tenderat e më pas vijojmë ecurinë. Unë s’përgjigjem se ku i ka marrë qeveria paratë, unë përgjigjem për tagrin tim. Unë s’jam Edi Rama. Projektet që unë i kam paraqitur qeverisë m’i ka financuar.

A do t’i marrë Elbasani fondet e Qeverisë? Pse nuk zgjidhet problemi i ajrit në Elbasan?
Qazim Sejdini: Unë kam 10 vite që luftoj i vetëm, nganjëherë edhe me Këshillin Bashkiak për ndërtimin e një landfilli. Ajri i ndotur e ka bërë situatën alarmante, pasi bëhet shkak për sëmundjen e kancerit. Pata bërë të qartë projektin e landfillit të ri, me idenë që në dhjetor të merrnim fonde nga qeveria belge. Kur shkuam atje mësuam se këto fonde nuk mund të jepeshin, pasi Shqipëria kishte dalë nga skema e varfërisë.

Qytetarët kërkojnë të dinë pse kontrata koncesionare nuk është botuar në Fletoren Zyrtare?
Qazim Sejdini: Le t’ja kërkojnë ministrit përkatës. Do jetë ndonjë militant i PD-së. Rëndësi ka që impianti ka filluar të ndërtohet. Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka shpallur gjendjen e emergjencës për ndotjen, dhe kjo ka nxitur me ecjen e shpejtë të projektit. S’e kam unë kontratën, s’jam as koncesionari, unë jam përfitues i koncesionarit. Impianti për ndotjen është i rëndësishëm. Kompania e çimentos nuk po punon më. Ne do të mbajmë në kontroll situatën, dhe duam të zbatohet ligji për këtë problem. Sipas kontrolleve rezulton se janë në rregull, por me sy nuk rezulton ashtu.

Lorenc Vangjeli: Çfarë plani konkret keni për papunësinë dhe për sistemin e taksave?
Qazim Sejdini: Janë mbi 31 mijë të papunë në Elbasan. Janë të papunë gati 30% e popullsisë. Unë pretendoj që brenda 4 viteve të punësohen 10 mijë vetë. Kombinati metalurgjik është një nga vendet ku mund të investohet fuqishëm nga biznesi privat, duke menduar se do të përthithë nga qeveria fonde për programin e punësimit, do të thithim më shumë investime. Në këtë periudhë janë duke u përgatitur dy objekte, ose dy impiante, një ferrokrom dhe një rafineri nafte. Këto kërkojnë 700 punëtorë për t’u ndërtuar. Po kështu një punishte peshku, një kompani fason.
Sa ëhstë papunësia në Elbasan?
Është mbi 31 mijë të papunë. Afërsisht 30% e popullsisë. Pretendoj që brenda katër vjetëve të punësohen 10 mijë vet.

Si mendoni ti krijoni këto vende pune?
Bashkia do të reklamojë dhe do lobojë pranë qeverisë dhe do reklamojë të gjitha resuset. Do thoja që këto resuse janë shumë të fuqishme. Kam mësuar që në Elbasan ishin prodhuesit më të mëdhenj të qershisë. Punojnë mbi 400 vet që vjelin dhe i shërbejnë frutikulturat. Rajonizimi i ri i jep Elbasanit shanse të mëdha për rritjen e punësimit. Turizmi malor do jetë nga më të kërkuarit.

Ju keni premtuar një qytet policentrit në katër vite e kaluara a është Elbasani policentrik? A vazhdon më ky vizion?
Ky vizion vazhdon dhe po zhvillohet. Ne kemi projekte të gatshme për 6 qendra të qytetit. Këto ditë kemi filluar projektimin lagjes 5 maji.

Tani po fillon të aplikohet projekti?
Në planin strategjik që unë kam këtu e kam deri në 2020 për ta bërë por do e përfundoj në 2019. sot një vit ne do kemi planin vendor dhe do fillojmë planin zonal. Elbasani do shkoj drejt një zhvillimi njerëzor.

Çfarë projekti keni ju për taksat që janë në nivel lokal? Si keni qenë në 4 vjet në nivelin e mbledhjes së tyre? Në përqindje investimet sa i keni kryer?
E vetmja taksë që ka ndryshuar është ajo për ndërtesën. Në Bashkinë e Elbasanit qytetari paguan 2400 lekë në vitë për pastrim gjelbërim ndriçim. Më pak se kaq ku do shkojë?

Janë të mjafta këto?
Me këtë nivel që janë sot taksat nuk ke çfarë u ul vetëm ti bësh gratis.

Me çfarë do e mbani bashkinë?
Këto taksa mbulojnë 60% të shpenzimeve. Pjesën tjetër e mbulonte taksa mbi biznesin vogël që nuk e mbledhim ne.

Taksat për ju as shtohen as ulen?
Këto taksa janë shumë të vogla, nuk kanë ku shkojnë më të ulëta.

Kundërshtari juaj tha se ju keni akumuluar një borxh në bashki?
Qazim Sejdini: Unë kam marrë një kredi prej 8 mld lekë nga BKT, dhe kjo jepet kur bashkia ka financa të shëndosha. Stadiumi është investim i qeverisë, por ndriçimi është faturë e Bashkisë. Unë diskutoj se çfarë do bëj për bashkinë e Elbasanit. Nëse unë i bëj projektet që kam propozuar jam i nderuar. Nëse Kombinati Metalurgjik bëhet mundësi zhvillimi ekonomik, atëherë do ketë më shumë mundësi për punësimin e qytetarëve të Elbasanit.

Çfarë do doni të bëni në 4 vitet e ardhshme?
Qazim Sejdini: Sfida ime është punësimi. Ujë 24 orë për qytetin. Më shumë mundësi zhvillimi për qytetin.

Cili është pengu më i madh i një premtimi që nuk e mbajtët dot?
Qazim Sejdini: Nëse nuk do të realizoja dot fillimin e punës për impiantin e mbetjeve unë nuk do kandidoja sot për bashkinë. Në janar qeveria belge dha 500 mijë euro për studimin e tokës në Bradashesh, përfundon brenda vitit, dhe bëhet gati një projekt për bonifikimin e tokës.

Ka një lloj heshtje për tymin që del nga oxhaqet, për mungesën e filtrave?
Qazim Sejdini: E keni gabim. Nuk ka heshtje. Bëhen matje nga Ministria e Mjedisit. Kanë ardhur atje, kanë bërë matje dhe i del brenda normave. Edhe Kurum-i edhe ferrokromi janë të dy ndotës të mjedisit, ndaj monitorimi është i nevojshëm. Nuk e lëmë në heshtje këtë punë.

Pse duhet të votojnë Qazim Sejdinin?
Qazim Sejdini: Qytetarët e mi do ta respektojnë edhe punën me dashuri që bëj unë për ta. Elbasani do të votojë për familjen e tij, për qytetarinë. Unë do t’i shërbej këtij qyteti me dashamirësi, dhe dua të jem i lumtur në fund të këtij mandati.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb