Tetë çështje, nga deeurozimi te politika monetare, u vendosën në fokus të takimit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pati me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të monitorimit, pas përfundimit të marrëveshjes. Zhvillimet makroekonomike në vend zunë vend në diskutimin mes palëve duke vënë theksin te treguesit kryesorë. Po kështu, takimi u ndal tek parashikimet për rritjen ekonomike të këtij viti duke vlerësuar treguesit direktë dhe indirektë.

Guvernatori Sejko u ndal tek masat e marra nga Banka e Shqipërisë në funksion të nxitjes së konsumit dhe investimeve, si një kontibut i drejtpërdrejtë në ekonomi. Në kuadër të kësaj, kreu i BSH dha detaje mbi efikasitetin e politikës monetare, përcjelljen e saj tek interesi i kredisë dhe stimulit të përgjithshëm monetar në ekonomi.

Konsolidimi fiskal ishte çështja e katërt ku u ndalën bisedimet mes palëve, një çështje që FMN e ka pasur në vëmendje të veçantë, sidomos gjatë programit trevjeçar që pati me Shqipërinë, duke vënë theksin tek rritja e bazës së të ardhurave, ulja e shpenzimeve dhe caktimi i një rregulli fiskal për uljen e borxhit publik.

Banka e Shqipërisë ka dhënë detaje edhe mbi pritshmëritë e saj për ecurinë e kreditimit si dhe gjendjen e përgjithshme të sistemit bankar. Rënia e kredive të këqija dhe situata e tyre aktuale, pas zbatimit të një pjese të planit të masave e nisur tashmë prej kohësh, u bënë gjithashtu pjesë e analizës në takimin mes Guvernatorit dhe FMN.

Deeurozimi si një nga reformat më të fundit të Bankës së Shqipërisë u bë pjesë e diskutimit, ku u dhanë detaje lidhur me mënyrën sesi do të zbatohet si dhe impaktet e pritshme në ekonomi./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: