TIRANE- Drejtoria e Tatimeve njofton afatet për detyrimet e papaguara, pasi në të kundërt do merren masa duke bllokuar llogaritë bankare apo sekuestruar pasuritë e paluajtshme për të gjithë tatimpaguesit. Në rastin e vetëdeklarimit borxhi paguhet brenda 10 ditëve, ndërsa në rastet kur borxhi nuk është apeluar, afati i pagesës është 30 ditë.

Drejtoria e Përgjithshme sqaron tatimpaguesit se afati për të paguar një borxh tatimor sipas rasteve është:

-Në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit.

-Nëse borxhi nuk është apeluar bëhet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së njoftim vlerësimit

-Brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim vlerësimit, vetëm detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën lidhur me të, edhe në rastin kur tatimpaguesi ka apeluar borxhin tatimor.

Me plotësimin e afateve proceduriale të mësipërme, sistemi në mënyrë automatike ju dërgon në e-filing tuaj “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”. Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit.

Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor, janë:

Hapi I-rë: Urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka llogaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij.
Hapi II-të: Barrë sigurie dhe/ose Barrë hipotekore mbi pasuritë 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit.
Hapi III-të: Urdhër për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së sigurisë dhe/ose hipotekore.
Hapi IV-t: Konfiskimi i pasurisë nga Adminisitrata Tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë.

Administrata Tatimore i dërgon gjithashtu administratës doganore një njoftim ku kërkohet bllokimi i aktivitetit doganor të tatimpaguesit deri në momentin e kryerjes së pagesës së detyrimit të papaguar.
Në rastet e moslikujdimit të plotë të detyrimit tatimor pas ndjekjes së hapave të mësipërme kalohet në nxjerrjen e njoftimit, i cili urdhëron palët e treta për pagesën e detyrimit tatimor.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb