TIRANE– Krimet e Rënda nisin tri letërporosi në Belgjikë, Gjermani dhe Angli për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në makinat “Toyota Yaris” pak ditë më parë në portin e Durrësit.

Në Belgjikë është dërguar informacioni për koncesionarin ku u blenë “Toyotat”. Gjithashtu prokurorët u kanë bërë kërkesë belgëve për çmimin e blerjes së automjeteve.

Ndërsa nga autoritetet gjermane Krimet e Rënda kërkojnë të dhëna për deklaratat doganore.

Letërporosia është dërguar edhe në Mbretërinë e Bashkuar për të kaluarën e Elvis e Alfred Vladit, dy kushërinjve të shpallur në kërkim si porositësit e eurove të padeklaruara.

Para disa ditësh u gjetën plot 3.4 milionë euro në dy mjete Toyota në portin e Durrësit, që futeshin për herë të parë në Shqipëri.

Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe po futeshin në të zezë në Shqipëri, ndërsa përveç 4 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë, të dyshuar si porositësit e parave.

Në seancën e fundit të grupit, prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë të arrestuarit. Gjykata e Durrësit vendosi të lërë pas hekurave të pandehurit dhe shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Krimet e Rënda, duke qenë se ndaj të arrestuarve është ngritur edhe akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

BalkanWeb