VLORE– Policia Kufitare e Vlorës ka dhënë detaje për drogën e sekuestruar dje në Vlorë, e cila ishte fshehur në një kamion. Sipas policisë janë sekuestruar rreth 79 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, ndërsa janë arrestuar dy persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga ka përfunduar A.K, 49 vjeç dhe I.M 48 vjeç, banues në Vlorë si dhe është shpallur në kërkim R.B. Droga ishte e fshehur në brendësi të kanatave të 9 dritareve duralumini, brenda një automjeti kamion tip”Mercedes Benz”.

Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës së pandërprerë të bërë nga D.V.K.M.Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike, një tjetër rast është goditur në Portin e Vlorës nga këto struktura.
Si rezultat i kontrolleve në vijën e dytë të Pikës së Kalimit Kufitar shërbimet e Policisë Kufitare ditën e djeshme kanë goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Sasia e lëndës narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me peshë totale prej 79 kilogramë u konstatua e fshehur në brëndësi të kanatave të 9 dritareve duralumini, brenda një automjeti kamion tip ”Mercedes Benz” .
Në përfundim të hetimeve Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Vlorë kanë arrestuar në flagrancë si autorë të kësaj vepre penale shtetasit :
A.K, 49 vjeç, banues në Vlorë,
I.M 48 vjeç, banues në Vlorë.
I përfshirë në këtë veprimtari rezulton të jetë edhe shtetasi R.B., (për arsye hetimi, nuk jepen më tepër të dhëna), i cili është shpallur në kërkim policor.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasinë e lëndës narkotike si edhe automjetin kamion.
Po punohet për kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet janë referuar në Prokurori, për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë” parashikuar nga neni 283/a e 22 i Kodit Penal.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb