TIRANE – Deputeti demokrat Eduard Selami deklaron se opozita pret një pjesëmarrje masive të qytetarëve në protestën e paralajmëruar për të enjten e ardhshme. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Selami tha se akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi, ndaj kryetarit të Kuvendit, përbëjnë shqetësim për çdo qytetar.
“Të enjten presim një protestë masive. Është një çështje që u intereson shumë shqiptarëve, që shqetëson çdo qytetar. Mendoj se është fort e pakëndshme që del kryeministri dhe ministri i brendshëm që japin gjykim. Ne duam që ky proces të shkojë në mënyrë ligjore, pa patur ndërhyrje. Mënyra si e trajtoi zoti Meta nuk mu duk aq serioze. Ne duam që t’i japë mundësi drejtësisë që të japë fjalën e saj. Më vjen keq që kreu i parlamentit e përdori si shaka dhe nuk i shtoi vlerë vetes.”- deklaroi Selami.

Sipas deputetit demokrat, “protesta dhe mocioni për shkarkimin e Metës plotësojnë njëra-tjetrën. Demokracia është e shumëanshme, përfshirja e qytetarit, presioni ndaj qeverisë, është diçka e shëndetshme, diçka e mirë. Kjo është detyra e opozitës për të arritur mirëqeverisjen, për të vënë në lëvizje drejtësinë”.
Lidhur me reagimin e Ambasadës Amerikane, pas përjashtimit të deputetit Tom Doshi nga grupi i PS-së, deputeti Selami tha: “Shqetësimi i Ambasadës së SHBA është dhe shqetësimi ynë, për dekriminalizimin e parlamentit, ndërsa shqetësimi i OSBE-së ishte i drejtë, që të ruhet etika”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: