KOSOVE- Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi në një intervistë për “Radio Bullgaria” ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është një betejë shumë e vështirë me shumë sfida. Megjithëkëtë, Selimi është i bindur se në fund të vitit Kosova do të jetë anëtare e UNESCO-së.

Kosova pjesë e kësaj organizate shumë të rëndësishme të OKB-së, sipas Selimit do të jetë përcaktuese në zhvillimin e arsimit në Kosovë.

“Kosova është pranuar tashmë si shtet nga 111 anëtarë të UNESCO-s. Në kemi aplikuar sepse është organizata e rëndësishme për arsim, shkencë dhe kulturë”, ka thënë Selimi për Radion Bullgare, duke shtuar sivjet diplomacia jonë është fokusuar mbi atë që t’i sigurojë votat.

Këtë tetor sipas tij, duhet arritur gjysmën e votave në Këshillin Ekzekutiv dhe pastaj në nëntor në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s ku kemi nevojë nga 2/3 e votave të anëtarësisë.

“Fatkeqësisht propaganda serbe ende tenton ta parandalojë dhe ta izolojë Kosovën nga arena ndërkombëtare. Por ne po shpresojmë se me të gjithë miqtë, përfshi edhe Bullgarinë, do të arrijmë që Kosova të anëtarësohet në UNESCO deri në fund të vitit”, ka pohuar Selimi.

Ai ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se Beogradi ka njohur ligjet e Kosovës e Kushtetutën e Kosovës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb