Nga: ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE – Sëmundjet e zemrës janë një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në vendin tonë, duke shkaktuar rreth 60% të vdekshmërisë. Por, ashtu siç ndodh edhe për shumë lloje sëmundjesh të tjera, edhe për problemet e zemrës, pacienti te mjeku specialist paraqitet kur është në gjendje shumë të rënduar dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ndaj mjekët bëjnë apel për një kontroll më të shpeshtë te mjeku. Aktivitet fizik i lehtë, ushqim i shëndetshëm, dietë e ekuilibruar pa yndyrna, ulje e stresit, si dhe matje e vazhdueshme e tensionit të gjakut janë disa nga këshillat që japin mjekët për të mbajtur larg problemet e zemrës ose për të mos u agravuar më shumë. Në intervistën për “Gazetën Shqiptare”, mjekja Ilda Xhelili këshillon gratë të cilat përdorin pilula kontracepsioni apo ato që përdorin hormonoterapi gjatë menopauzës të bëjnë kontrolle të vazhdueshme, pasi preparatet hormonale rrisin rrezikun e sulmeve në zemër dhe në tru.

Çfarë është sëmundja e zemrës?
Sëmundja e zemrës përfshin një sërë problemesh që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut të zemrës. Llojet e sëmundjeve të zemrës përfshijnë: sëmundjet e arterieve koronare, që janë dhe lloji më i zakonshëm si edhe shkaku kryesor i sulmeve në zemër. Gjatë këtij problemi, arteriet koronare ngushtohen ose bllokohen plotësisht dhe për pasojë zemra nuk e merr sasinë e gjakut që i nevojitet. Patologjitë koronare mund të çojnë në Angina Pectoris, që nënkupton dhimbjet e gjoksit kur zemra nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak. Në shumicën e rasteve, dhimbja është në gjoks në formën e sikletit apo të shtrëngimit, por ajo mund të jetë në supe, krahë, qafë, nofulla ose shpatulla. Mund të shprehet gjithashtu edhe si çrregullime dispepsike (të tretjes) në stomak, gjë që kërkon shumë kujdes në diferencimin e diagnozës. Në qoftë se ena koronare është e bllokuar rëndë ose plotësisht dhe zemra për njëzet minuta nuk merr sasinë e gjakut që i nevojitet, atëherë kemi të bëjmë me atak kardiak (sulm në zemër). Pamjaftueshmëria e zemrës ndodh kur zemra nuk është në gjendje të pompojë gjakun në trup në sasinë e duhur. Kjo do të thotë që edhe organet e tjera nuk do të marrin gjak mjaftueshëm. Por, kjo nuk do të thotë se zemra ndalon. Shenjat klinike të pamjaftueshmërisë së zemrës janë: ënjtje e këmbëve (edema), gulçimi (ndjesia sikur nuk merr ajër mjaftueshëm), aritmia (çrregullime të ritmit të zemrës), zbehje, dobësi e përgjithshme dhe përgjumje.

A duhet të shqetësohen gratë për sëmundjet e zemrës?
Po. Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një në katër gra vdes nga sëmundjet e zemrës. Rreth 60% më shumë gra në të gjithë botën vdesin sot nga problemet kardiovaskulare (sëmundje të zemrës dhe goditje në tru) sesa nga kanceri. Edhe në vendin tonë këto sëmundje si për meshkujt ashtu edhe për femrat zënë vendin e parë në raport me sëmundjet e tjera. Sa më shpejt të zbulohen dhe të trajtohen këto patologji, aq më e mirë është dhe ecuria. Të gjithë duhet të marrin masa për të parandaluar sëmundjet e zemrës. Kjo arrihet nëpërmjet kontrolleve të rregullta profilaktike të planifikuara.

Çfarë masash duhen marrë për të parandaluar sëmundjet e zemrës?
Në radhë të parë kontrolloni tensionin e gjakut. Vuajtja për vite të tëra nga presioni i lartë i gjakut mund të çojë në sëmundje të zemrës. Njerëzit me tension të lartë shpesh nuk kanë simptoma klinike, prandaj çdo vit duhen bërë kontrolle të rregullta të zemrës. Së dyti, nëse pini duhan, përpiquni ta lini atë. Së treti testoni gjendjen e sheqerit në gjak (glicemia, diabeti). Njerëzit me nivel të lartë të glicemisë në gjak shpesh nuk kanë simptoma klinike, prandaj duhen bërë kontrolle rutinë sipas protokolleve mjekësore. Në qoftë se jeni diabetikë, duhet të jeni nën kontrollin e rregullt të mjekut specialist. Diabeti dëmton enët e gjakut dhe rrjedhimisht edhe zemrën. Së katërti, duhen mbajtur nën kontroll yndyrnat në gjak. Nivelet e larta të tyre janë të lidhura me shumë sëmundje të zemrës. Niveli i tyre mbahet nën kontroll me mjekime specifike, ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik. Të jesh mbi peshë rrit rrezikun për sëmundje të zemrës. Është e rëndësishme që çdo ditë të kryhet për të paktën 30 minuta aktivitet i lehtë fizik (qoftë edhe thjesht ecje). Kjo do të ishte më e vlefshme në qoftë se kombinohej një herë në javë me rreth një orë aktivitet të moderuar fizik. Por, kjo varet natyrisht edhe nga problematika shëndetësore, prandaj bëhet gjithmonë me këshillimin e mjekut. Në qoftë se pini alkool, kufizojeni atë në jo më shumë se një pije në ditë (një birrë ose një gotë verë). Përpiquni të ulni në minimum nivelin e stresit. Aktiviteti fizik luan rol të rëndësishëm në këtë rast. Mundohuni të hani shëndetshëm. Konsumoni sa më shumë drithëra, fruta e perime të freskëta dhe kufizoni sa më shumë produktet shtazore. Preferoni më mirë mishin e bardhë (peshk, pulë) sesa mishin e kuq (viçi, derri).

Po simptomat klinike që shoqërojnë atakun kardiak, cilat janë?
Si për burrat, ashtu edhe për gratë, shenja më e zakonshme klinike e një sulmi në zemër është dhimbja ose shqetësimi në qendër të gjoksit, i cili mund të jetë i butë ose i fortë, mund të zgjasë disa minuta, por edhe mund të pushojë dhe të rifillojë përsëri. Kjo mund të shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, të përziera, të vjella, kollitje, djersë të ftohta, dobësi të përgjithshme, ulje të oreksit. Por, dhimbja mund të ndodhë edhe në nofull, shpatull, krahë dhe qafë. Ndonjëherë sulmi në zemër mund të vijë papritur, por ai mund të zhvillohet edhe ngadalë. Shenjat mund të shfaqen disa orë, ditë, madje edhe një javë përpara se të zhvillohet sulmi në zemër (ataku kardiak).

Ataku kardiak, është i trashëgueshëm?
Në qoftë se njëri nga prindërit tuaj ose motra e vëllezër, kanë kaluar një atak kardiak përpara moshës 65 vjeç, atëherë ju keni një risk më të lartë për ta zhvilluar këtë patologji. Kjo nuk do të thotë që ju do të keni patjetër një sulm kardiak. Kjo do të thotë që ju duhet të kujdeseni më tepër për shëndetin e zemrës suaj dhe të kryeni kontrollet e duhura sipas protokolleve mjekësore.

Duke u përqendruar te femrat, a janë të rriskuara ato nga problemet e zemrës duke përdorur pilula kontraceptive?
Po, pa diskutim! Gratë që marrin pilula kontraceptive, sidomos ato mbi moshën 35 vjeçe, duhet të tregojnë kujdes të madh. Duhet të jeni në kontroll të rregullt me mjekun që ju ka rekomanduar medikamentet kontraceptive. Po ashtu, duhet të kenë kujdes edhe gratë që përdorin hormonoterapi gjatë menopauzës. Preparatet hormonale rrisin rrezikun e sulmeve në zemër dhe në tru. Prandaj, përdorimi i tyre duhet të jetë në kohën e duhur dhe në dozën e duhur, gjithmonë nën kontrollin e mjekut specialist.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: