TIRANE– Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordon senatorit italian Pier Ferdinando Casini dekoratën e lartë “Nënë Tereza”. Në ceremoninë e organizuar në Presidencë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, si dhe kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, e deputetë të tjerë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Presidenti Meta tha se senator Casini është një politikan i shquar italian e mik i provuar të Shqipërisë.

“I shpreh mirënjohjen e sinqertë këtij politikani të shquar italian dhe evropian. Casini ka mbështetur fuqishëm zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj euroatlantik. Mirënjohja jonë është veçanërisht e thellë për këtë politikan të moderuar simbol i dialogut, shembull i tolerancës e civilizimit. Casini është përfaqësues europianist i bindur në vlerat e lirisë, drejtësisë e solidaritetit, si dhe një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane”, tha Presidenti Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e senatorit italian në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Senatori Casini ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai ka qenë mbështetës aktiv i angazhimit të Italisë në të gjitha operacionet humanitare në Shqipëri. Casini avokat për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin. Po kështu ai është një nga mbështetësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit tonë.

Italia është partner i pazëvendësueshëm strategjik për Shqipërinë. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë të veçanta, shtrihen në shekuj, janë shumë planëshe e jashtëzakonisht njerëzore. Dimensioni politik dhe ekonomik i tyre janë në rritje dhe në interes të të ardhmes të dy vendeve. Italia është partneri kryesor e i pazëvendësueshëm, tradicional e natyral ekonomiko-tregtar. Një Itali e fortë, e qëndrueshme dhe e begatë është e rëndësishme për një Shqipëri më të zhvilluar dhe të begatë. Senatori Casini përfaqëson disa nga vlerat më të spikatura pozitive të popullit dhe kombit italian. Në këtë vit të Skënderbeut, intensifikimi i kontakteve dhe ngjarjeve politike, historike dhe kulturore me Italinë është i veçantë.

Pas viteve 90’ Italia mirëpriti dhjetëra mijëra emigrantë të dëshpëruar, ndërsa sot atje janë të mirë-integruar mbi 500 mijë shqiptarë të cilët japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Shqiptarët në Itali kanë treguar aftësitë dhe talentin e tyre kudo në punë, sipërmarrje, sport, kulturë. Mjafton të përmendim edhe fituesin e fundit të Sanremos, Ermal Metën, për të kuptuar se sa të forta, të ndërlidhura, të pandashme e të natyrshme janë marrëdhëniet shqiptaro-italiane sot. Shpreh mirënjohjen e thellë për Italinë e në mënyrë të veçantë për Senatorin Casini, e përkushtimin e tij personal për forcimin e miqësisë italo-shqiptare” theksoi Presidenti Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb