Përfundimisht, humbja më e vështirë dhe dërrmuese ishte ajo në Kopenhagen”. Duke u përpjekur të nxjerrë në pah gjërat e mira nga çështja e ekipit kombëtar serb në ndeshjen me Danimarkën, Tomislav Karaxhiç, padyshim ka shumë keqardhje. Edhe pse kanë mbetur vetëm shanse teorike për t’u kualifikuar për në “Euro 2016”, Karaxhiç nuk heq dorë: “A duhet të them se gjithçka është e humbur? Jo. Përderisa ka ende shanse, pa marrë parasysh se përqindja e tyre është e vogël, ne do të luftojmë deri në fund. Para nesh është Armenia, pastaj Shqipëria… Lojtarët dhe trajneri ynë do të bëjnë gjithçka për të arritur rezultate të mira në kualifikueset e mbetura, për të shpresuar te vendi i tretë”. Kështu shkruan e përditshmja serbe “Kurir”.

Kujtojmë se në të njëjtin grup me Serbinë janë edhe kuqezinjtë tanë. Situata në Grupin I është e tillë për momentin: Kryeson Portugalia, me 12 pikë, e ndjekur nga Danimarka me 10 pikë. Të dyja këto kombëtare kanë luajtur nga pesë ndeshje. Në vendin e tretë është Shqipëria, me 7 pikë, por me 4 ndeshje të luajtura dhe një tjetër që pret verdiktin final të KAS-it të Lozanës. Fjala është për kualifikuesen e 14 tetorit të vitit të kaluar, që u ndërpre nga dhuna, racizmi e mësymja e fushës nga tifozët vendës. Dy organet juridike të UEFA-s ia dhanë 3 pikët në tavolinë Serbisë, duke i hequr njëkohësisht 3 pikë të tjera nga klasifikimi i momentit. Tani, Serbia ka vetëm 1 pikë në klasifikimin e Grupit I, aq sa edhe Armenia, me nga 5 ndeshje të luajtura secila.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb