VLORË- Një tjetër avion, i dyshuar për trafik droge është pikasur në Vlorë. Policia e Shtetit njofton se në orët e para të mëngjesit të datës 20 mars 2016 ka marrë informacion nga vetë banorët se në zonën e fushave të fshatit Akërni, po lëvizte në hapësirën ajrore, një avion i vogël.

Pas marrjes së këtij informacioni u organizuan të gjitha shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Vlorë si dhe të Njësisë së Lëvizshme Territoriale Delta Force. Si dhe është njoftuar menjëherë edhe Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka njoftuar menjëherë Policinë italiane, me qëllim ndjekjen e përbashkët të këtij informacioni.

Policia deklaron se në bashkëpunim me homologët Italianë, u punua intensivisht, për verifikimin e këtij informacioni, duke zhvilluar veprime të koordinuara në Vlorë dhe në një pjesë të territorit Italian.

Ndërkaq policia e Shtetit ka shoqëruar shtetasit N.M., A.M., K.M., si të dyshuar në lidhje me këtë veprimtari, si edhe automjetet një fuoristradë dhe një furgon në pronësi të këtyre shtetasve, të cilat po këqyren nga specialistët e Policisë.

Policia e Shtetit po bashkëpunon edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë dhe ka bërë regjistrimin e Procedimit Penal për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim.

Veprimtaria hetimore është në vijim edhe nga policia italiane për zbulimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: