TIRANE – Personazhi i njohur i Tanës në filmin “14 vjeç dhëndër” është një nga dhjetëra rolet e mrekullueshme që Hajrie Rondo ka luajtur në disa dekada karrierë në skenën e teatrit dhe të filmit. Së fundi, pasi fitoi betejën e jetës me një sëmundje të rëndë, ajo është rikthyer në skenën e teatrit Metropol me komedinë “Tre dhëndurët”, e cila shërbeu si mundësi që Tirana të shprehë vlerësimin për kontributin e saj si një nga aktoret më të dashura për shqiptarët.

E shoqëruar nga aktorë të njohur të brezit të saj, por edhe nga artistë të rinj, Hajrie Rondo u prit dje në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e falenderoi për të gjitha çastet e gëzueshme që ajo i ka dhuruar shqiptarëve me rolet e saj ndër vite. Më pas, në emër të qytetarëve të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi asaj Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.

Aktorja Hajrie Rondo, falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë vlerësim, ndërsa theksoi se vetëm me punë dhe vullnet mund të arrihet çdo sukses, duke përballuar edhe sfidat që sjell jeta.

“Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vëmendjen tuaj. Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur. Ne kishim premierën në Teatrin e Metropolit dhe unë jam pjesë e asaj shfaqje. Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje, sepse kam punë? Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola. U lodha një çikë, por stafi, drejtoresha, regjisorja dhe kolegët, ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime”, u shpreh aktorja Rondo.

Komedia “Tre dhëndurët” e shkrimtarit shqiptar Dionis Bubani ka nisur të shfaqet në Teatrin Metropol prej ditës së enjte, 20 Tetor, dhe do të vazhdojë të vihet në skenë deri në mesin e muajit Nëntor.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: