INTERVISTOI BEN ANDONI

Prodhimi i kinemasë është më shumë semantik. Madje edhe në Perëndim, teknologjitë e avancuara janë përdorur shpesh për të ndryshuar koncepte -për t’u transferuar- për t’u bërë më tërheqëse. Industria iraniane e kinemasë ose të paktën identiteti i saj është i projektuar fillimisht për vetveten, e me sa duket nuk ka nevojë për shtesa të tjera. Megjithëse edhe natyrisht përdorim mjetet bashkëkohore duke marrë parasysh këtu aspektet bashkëkohore teknike dhe teknologjike: kamerat më të mira që janë sot në botë, studio të mira dhe pajisje vizuale, të cilat ekzistojnë në Iran dhe ka madje edhe artistë krijues që punojnë me këto pajisje, citohet për “Milosao”, aktori i famshëm iranian.

Shahab Hosseini, një nga aktorët më të njohur në botën aziatike, fitues i Palmës së Artë në Kanë dhe i Ariut të Argjendtë në Berlin, tregon sfidën e artit të vendit të tij dhe mbajtjen e standardeve të larta për të cilën dallohet kjo kinematografi. Pse politika mundohet në çdo vend të futet në art dhe sesi mbijeton në nivele të arta kinematografia iraniane prej dekadash…Në këtë intervistë ekskluzive për “Milosao”, një nga yjet bashkëkohore të kinemasë, flet për artin e shtatë të vendit të vet dhe më shumë akoma…

I nderuari, z Shahab Hosseini, jemi të kënaqur që ju kemi për publikun shqiptar. Ai ju ka ndjekur me interes në filmat “Shitësi” dhe “Ndarja”. Në pikëpamjen tuaj, janë ata vallë filmat tuaj më të mirë apo dëshironi të shtoni edhe interpretime të tjera?
“Faleminderit. Është kënaqësi për mua që njerëzit e mirë të Shqipërisë i kanë parë veprat e mia dhe i kanë ndjekur ato. Padyshim këto janë dy nga realizimet më të mira në karrierën time. Përveç këtyre, ka edhe realizime të tjera që personalisht i ruaj të shtrenjta në zemrën time. Megjithatë, mendoj se deri më tani kam bërë më të mirën fillimisht për të kuptuar rrethanat e veprave që do realizoja dhe pastaj të arrija të bëja sa më shumë që mundesha për realizimin e tyre. Edhe pse ndodh që nganjëherë këto përpjekje shikohen por dhe nganjëherë nuk këqyren fare. Por gjithsesi kjo nuk ia ul vlerën edhe realizimeve të tjera”.

Sipas mendimit tuaj, pse Juria e Filmit në Kanë ka vendosur unanimisht për çmimin tuaj të fundit?
“Unë mendoj se do u takonte atyre më mirë që t’i përgjigjen kësaj pyetje. Në fakt, kur isha duke marrë pjesë në realizimin e këtij filmi, as edhe nuk do e merrja me mënd se do të merrja pjesë në ndonjë festival, e jo më pastaj në Kanë. Kështu që unë u përpoqa për të luajtur në këtë film me të njëjtën dashuri dhe interes që kam investuar në të gjitha realizimet e mia të tjera, shtuar edhe me simpatinë e pamatë që kam për Asghar Farhadi dhe veprat e tij. Këtë herë për fat të mirë erdhi në vëmendjen e jurisë dhe fitoi atë çmim që e fitoi. Për këtë e falënderoj Zotin dhe e falënderoj edhe vëmendjen e jurisë”. Le të kthehemi disi në gjëra që lidhen me kinematografinë iraniane. Ende në disa vende ekziston një lloj i stigmës për artin e Iranit, ndërkohë që paradoksalisht shumë artistë si ju vetë, por edhe regjisorë, skenaristë, ose nga fushat e tjera janë shpërblyer me çmimet më prestigjioze botërorë. Një pyetje direkte: Pse filmat iranianë janë kaq të mirë dhe të vërtetë? “Stigma përfshin zakonisht mungesën e njohurive. Unë mendoj se kur arrihet një njohje në nivelin e duhur, qoftë pesimizmi absolut por edhe optimizmi duhet të shmanget. Kinemaja iraniane është një e tillë kinema e nderuar në familjen botërore, e cila është duke u përpjekur për të ecur mbi peizazhe etike dhe morale. Përveç kufizimeve të ndikuara nga kultura iraniane dhe ajo e islamit, kinemaja jonë përpiqet për të gjetur rrugën e vet ku të përdorë kreativitetin për të bërë filma që i motivon njerëzit në të menduar. Ne mund të themi se gjaku që rrjedh në venat e kinemasë iraniane është kreativiteti që pjesërisht është i rrënjosur edhe në të menduarit tanë”.

Kam nevojë për të adresuar një pyetje të drejtpërdrejtë për ju: Duket se ju gjithmonë luani role si përfaqësues i klasës së mesme. Ju vetë si person me të vërtetë i përkisni kësaj klase në Iran?
“Po! I përkas shtresës së mesme të kësaj shoqërie, por kjo nuk është arsyeja e vetme që unë i luaj këto role. Në thelb, kur unë përballem me një rol, përpiqem për ta njohur atë, ta kuptoj, ta besoj dhe pastaj ta interpretoj në mënyrën që të bëhet sa më e afërt për publikun dhe e besueshme për të. Sigurisht që ka pasur role në karrierën time që nuk i përkasin shtresës shoqërore ku jam rritur apo jetuar në të, por jam përpjekur për t’i luajtur njësoj besueshëm edhe ato role të tjera që më janë besuar. Pra, si një aktor nuk ka shumë rëndësi se cilës klasë shoqërore i takon…”.

Çfarë do të thotë të punosh me Asghar Farhadi? A mund të bëni një panoramë të shkurtër të artistëve të filmit iranian që ju impresionojnë dhe kanë marrë çmimet kryesore ndërkombëtare?
“Duke punuar me Asghar Farhadi është kënaqësi, sepse ai fillimisht është një mendimtar i mirë dhe pastaj edhe një regjisor i mirë. Kur punoni me të, mendja juaj bëhet sakaq e gatshme dhe e qartë prej aftësisë së tij, ndaj ti realisht e gëzon punën me të. Edhe të tjerët si i ndjeri Kiarostami, që ia doli të kishte sukses në bërjen e kinemasë iraniane të famshme në botë, ishin njësoj mendimtarë të thellë të veprave të tyre dhe i kushtonin shumë kohë dhe vëmendje veprave të tyre. Si një shembull dua të përmend Mr. Farhadi, i cili kalon të paktën dy vjet duke shkruar skenaret dhe kjo është ajo që mendoj pse skenaret e tij janë aq të forta dhe të përsosur. Unë mendoj se pjesa e cila ka treguar identitetin e vërtetë të kinemasë iraniane në botë është e lidhur me atë pjesë së të menduarit tonë, që lidhet ngushtë me kinemanë iraniane”.

Deri tani, filmat iranianë janë disa nga filmat më konkurrues në mesin e filmave në gjuhë të huaj në festivalet e mëdhenj të filmit. Ata kanë fituar nderimet e larta në festivalet e filmit në Kanë, Venecia, Pusan dhe Montreal.Në pikëpamjen tuaj cili është filli i suksesit që është i zakonshëm për ta, por edhe pengesa?
“Gjykimet e padrejta të bazuara në politikë! Bota e artit ka rregullat dhe besimet e veta, të cilat janë të ndryshme prej atyre që ekzistojnë në botën reale. Artistët nuk kanë nevojë për gjuhë të përbashkët, prejardhje të përbashkët, kredon e përbashkët qoftë edhe fenë. Komunikojnë nëpërmjet gjuhës së artit të tyre. Nëse gjykimet do të bazohen thjesht në meritat artistike, asnjë fije s’do të mbetet për kinemanë iraniane. Kurse nëse verdiktet do jenë të bazuara në çështje politike, duke konsideruar këtu se në politikë nuk është e qartë ajo që është reale, ne mund të jemi viktima të një propagande për Iranin që nuk është e vërtetë. Unë mendoj se duke kërkuar përmes lenteve të artit dhe njerëzimit, mund të garantohet se s’do të ketë asnjë fije kundër çdo artisti që i përket çdo vend duke përfshirë këtu edhe Iranin”.

Duke pasur parasysh kushtet e pajisjeve, a është e vërtetë që gjendja e infrastrukturës së filmit iranian është e varfër. Si keni arritur të keni sukses për t’u përballur me teknologjinë perëndimore, e cila është shumë e sofistikuar?
“Prodhimi i kinemasë është më shumë semantik. Madje edhe në Perëndim, teknologjitë e avancuara janë përdorur shpesh për të ndryshuar koncepte -për t’u transferuar- për t’u bërë më tërheqëse. Industria iraniane e kinemasë ose të paktën identiteti i saj është i projektuar fillimisht për vetveten, e me sa duket nuk ka nevojë për shtesa të tjera. Megjithëse edhe natyrisht përdorim mjetet bashkëkohore duke marrë parasysh këtu aspektet bashkëkohore teknike dhe teknologjike: kamerat më të mira që janë sot në botë, studio të mira dhe pajisje vizuale, të cilat ekzistojnë në Iran dhe ka madje edhe artistë krijues që punojnë me këto pajisje. Mendoj se filmat aktualë të cilat i kanë rrënjët në kushte reale sociale dhe reflektojnë jetën e vërtetë të njerëzve janë kryesisht ato që e formësojnë identitetin e kinemasë iraniane. Por sipas mendimit tim edhe kompani të mëdha të prodhimit mund të krijohen në Iran, ato mund të bëhen me lehtësi. Dhe madje mund të ketë rezultate të mira në qoftë se ka qasje të mirë”.

Si e mbajnë artistët iranianë qasjen me cilësinë e lartë të artit kinematografik?
“Duke studiuar, duke studiuar, duke qenë brenda me rrjedhën e informacionit më të ri në botë, ngjarjet dhe të dhënat e të klasit botëror! Gjithsesi artistë që jetojnë në Iran janë të detyruar për të rinovuar dhe të zgjeruar njohuritë e tyre dhe të menduarit ditë për ditë, për t’u përmirësuar”.

A mundet që politika në Iran ta ndihmojë këtë industri? A bëhet ajo kritike ndonjëherë kundër këtij arti?
Çfarë lloj kufizimesh keni në disa raste? “Si në çdo pjesë tjetër të botës, ka disa kufizime për ne pasi kudo politika kërkon një lloj të veçantë të kinemasë që e mbështetet atë. Por këto janë sfida të zakonshme me të cilat artistët janë të ballafaquar në të gjithë botën. Zakonisht një artist mund të jetë i suksesshëm në qoftë se ai mund të lerë shenjën (markën) e tij në formën më të mirë, më të qartë dhe më racionale. Pra, kur të menduarit e thellë jeton, atëherë instrumentet e tjera janë të vendosura në prioritetet më të ulëta. Unë mendoj se është më i rëndësishëm fakti se: “çfarë do të thuash?” dhe pastaj çështja “sesi do ta thuash atë”. Unë mendoj se edhe kinemaja në Iran përballet me sfidat por edhe me kufizimet që ju përmendet në kontekstin e tregimeve që tregon vëmendje, situatat sociale që mund të trajtohen drejt apo censurës që ekziston në të gjithë botën dhe që gjithashtu ekziston në Iran duke marrë parasysh besimet kulturore dhe fetare. Pra, të gjitha këto sfida vihen në rrugën e një arti kështu që ai mund ta gjejë rrugën e vet dhe të shprehet në formën më të mirë, më të qartë edhe më të ëmbël”.

Çfarë dini në lidhje me artin, kinemanë dhe letërsisë shqiptare në përgjithësi?
“Për fat të keq, unë nuk e di shumë, por dua që të më krijohet një mundësi për ta studiuar atë”.

Ndonjëherë duket se kinemaja iraniane ka një anë të ndritshme dhe një anë të errët? Si artistët iranianë arrijnë të kenë një ekuilibër midis sistemit iranian politik dhe vlerave humaniste dhe universale të kinematografisë?
“Unë po e them përsëri: Është e gjitha e rrënjosur në të menduarit dhe në konceptin që ju zgjidhni për të shprehur idetë. Sigurisht si çdo pjesë tjetër të botës, kinemaja në Iran ka dy anë: ajo ka një anë të brendshme vendase dhe një anë tjetër ndërkombëtare. Ana e brendshme lokale është ajo që lidhet me interesin e iranianëve dhe në zgjedhjet e temave brenda vendit. Populli e do atë lloj kinemaje dhe kjo është e kuptueshme për ta. Ajo s’mund të jetë shumë me një oferte globale. Kurse ana ndërkombëtare apo globale është kinemaja e cila është e bazuar në idenë dhe mund të portretizojë njerëzimin në kuptimin e saj më interesant, në mënyrë që të konsiderohet e mirëpritur nga kinemaja botërore”.

Ju jeni aq i famshëm në vendin tuaj? A ju shqetëson në ditë-jetën tuaj ky status?
“Ashtu si hëna edhe fama ka dy anë: të ndritshmen dhe të errëtën. Ana e saj e ndritshme është shumë interesante. Unë mendoj se kjo s’është asgjë më shumë sesa mirësia e perëndisë për të shkruar një fat të tillë për mua. Por kjo vjen edhe me përgjegjësi të mëdha për të cilat unë mund ndonjëherë ndjehem i dobët. Unë edhe mund të humbas kontrollin e disa aspekteve të jetës sime për shkak të tij. Çfarë është e rëndësishme është se jam duke u përpjekur për të mbajtur ekuilibrin tim, por nuk e di se sa shumë do të mundem. Unë vetëm shpresoj se mund ta përdor famën sa më drejt”.

A keni ndonjë plan të ri kinematografik për të ardhmen?
“Unë jam shumë i interesuar në të ardhmen sa i përket prodhimit të filmave dhe skenarit. Unë jam duke u përpjekur për t’u zhvendosur drejt këtij drejtimi, hap pas hapi”.

Cili është Hosseini?!

Shahab Hosseini është një nga aktorët iranianë më të njohur të viteve të fundit. Realizimet më të mira dhe bashkëpunimet i mban me shkrimtarin dhe regjisorin vendas Asghar Farhadi. Ai ka fituar Ariun e Argjend si aktori më i mirë mashkull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në edicionin e 61, si edhe çmimin Aktori më i mirë në Festivalin e Filmit në Kanë 2016. Shahab Hosseini për herë të parë me çmimet u përball, kur fitoi Crystal Simorgh për filmin Superstar në vitin 2009. Jeta e tij është shumë e zakonshme, para kësaj ngritje profesionale. Ai ka marrë diplomën e shkollës së mesme për Biologji. Ka qenë student i psikologjisë në Universitetin e Teheranit dhe afrimin me median e pati kur u fut në transmetimet e radios në Iran. Kjo u pasua nga një pjesëmarrje në një shfaqje televizive për audiencën e të rinjve dhe disa role të vogla që e afrojnë me një seri televizive. Hosseini e bëri debutimin kinematografik në vitin 2002. Sot është në tregun e aktorëve më të njohur në botë pas çmimeve të marra.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: