TIRANE- Një ditë pas zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të përkohshme vetëm me votat e mazhorancës, mes tymit dhe kaosit në Kuvend, kreu i partisë Demokratike ka shprehur qëndrimin e tij. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se dje në Kuvend u konsumua një puc kushtetues.

I pyetur mbi deklaratat e ambasadës së SHBA dhe BE në vendin tonë, të cilat dënuan dhunën në protestë dhe në sjelljen e deputetëve në Kuvend, kreu i PD-së tha se nuk komenton ambasadorët e huaj.

“Nuk kam ndërmend të ndryshoj rregullin tim për të mos komentuar ambasadorët e huaj. Dhuna e vetme nuk ishin tymueset, por shkelja e Kushtetutës, çfarëdo të thonë ambasadorët faktet janë ato që janë, të tjerat pastaj secili mund të thotë mendimin e tij për të cilin mban përgjegjësi”, u shpreh kryedemokrati Basha.

Sakaq, Basha tha se Qeveria ka dhunuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, dhe sipas tij ky është problemi madhor në vend. Duke iu drejtuar ambasadorit Donald Lu, kreu i PD tha se “një qeveri e tillë në vendin e tij, SHBA do ishte rrëzuar, dhe një ish-ministër si Tahiri në SHBA do ishte arrestuar”.

“Protesta është shprehje e revoltës së qytetarëve kundër shkeljes së reformës në drejtësi. Problemi nuk qëndron tek karriget apo kartonët e Parlamentit, problemi është se qeveria e drogës ka marrë peng shtetin ligjor. Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde. Një qeveri që sillet si organizatë kriminale në SHBA do ishte rrëzuar. Në SHBA dhe Gjermani qeveritë rrëzohen për gjëra më të vogla”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb