SHBA-Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë shprehur shqetësim ndaj njoftimeve mbi rritjen e pranisë ushtarake ruse në Siri. Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Rusia po dërgon furnizime ushtarake nga ajri në Siri, duke e quajtur këtë aktivitet si të “padobishëm”. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby u tha gazetarëve se ai nuk ka konfirmime se rusët po forcojnë praninë e tyre në Siri, por ai tha se “synimet e Rusisë janë të paqarta”. Ai tha se Sekretari i Shtetit John Kerry e diskutoi çështjen gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Anëtarë të ushtrisë ruse janë në Siri duke shkaktuar shqetësim në Perëndim se forcat ruse po angazhohen më thellë për mbrojtjen e qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad.

“Unë jam i shqetësuar nga njoftimet mbi rritjen e pranisë ushtarake ruse në Siri. Kjo nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit. Unë mendoj se është e rëndësishme që tani të mbështesim të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit atje. Ne mbështesim përpjekjet e OKB-së për gjetjen një zgjidhjeje politike për konfliktin në Siri”.

Rusia pretendon se ajo thjesht po ndihmon Sirinë se si të përdorë sistemet ushtarake që ajo i ka dhënë këtij vendi.

“Ka shumë kohë që vendi ynë furnizon Sirinë me armë dhe pajisje ushtarake, në bazë të kontratave dypalëshe. Ka gjithashtu një prani të ekspertëve ushtarakë rusë në Siri, të cilët po mësojnë sirianët si të përdorin sistemet ushtarake që po u jepen atyre”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, raporton Zëri i Amerikës.

Rusia thotë se dërgimi i pajisjeve në Siri po bëhët për t’iu kundërvënë kërcënimeve terroriste në këtë vend dhe në Irakun fqinj.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry paralajmëroi homologun e tij rus se çdo përforcim i trupave ruse në Siri mund të çojë në më shumë dhunë, duke përfshirë rrezikun e konfrontimit me koalicionin kundër ISIS-it në Siri që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara.

Dy diplomatët kanë rënë dakord që diskutimet mbi konfliktin sirian të vazhdojnë në fund të këtij muaji në Nju Jork.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha këtë javë se mbështetja për regjimin e Asadit nga çdo palë, duke përfshirë Rusinë, do të ishte e paarsyeshme.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: