TIRANE- Pak orë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi hapur se zgjedhjet në Kavajë do të zhvillohen me apo pa Partinë Demokratike dhe kur Ambasada e SHBA-ve, deklaroi për TCh se administrata e Trump nuk e mbështet bojkotin e parlamentit nga opozita, Lulzim Basha nuk lëviz nga pozicioni i tij.

I kthyer prej dy ditësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryedemokrati Basha mblodhi sot rreth orës 19:30 në selinë e partisë së tij grupin parlamentar dhe kryesinë e partisë. të cilëve iu komunikoi strategjinë e re, për të vijuar rezistencën në çadër deri në qeveri teknike.

“Qendresa e opozitës do vazhdojë deri në qeveri teknike”,- mësohet të ketë thënë Basha në mbledhje.

Burime të BalkanWeb nga mbledhja e PD, bënë me dije se Basha iu kërkoi deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë që të jenë në bazë tek strukturat, një angazhim tjetër ky, përveç qëndresës në çadër.

Ndër të tjera, kreu i forcës më të madhe opozitare ka folur edhe për mbështetjen që ka marrë në SHBA në të mirë të kauzës së tyre. “Ka qenë një nga vizitat më të suksesshme që kam pasur në SHBA përfshirë dhe kohën kur isha ministër i Jashtëm”,- mësohet të ketë thënë ai.

Ndër të tjera, siç mësojnë burime të BalkanWeb brenda mbledhjes, kryedemokrati ka hedhur poshtë çdo aludim për marrëveshje me shumicën për zgjedhjen e presidentit. “Asgjë nuk është e vërtetë. PD-ja është e vendosur në qëndrimin e saj”,- ka shtuar ai.

Në mbledhje mësohet të ketë folur vetëm Basha, ndonëse i pranishëm ka qënë edhe Berisha.

Kujtojmë se pak më parë Ambasada e SHBA-ve deklaroi se se asnjë prej çështjeve të mprehta të aktualitetit politik në Shqipëri nuk duhet të jetë shfajësim për bojkotin e Parlamentit, bllokimin e zgjedhjeve dhe Reformës në Drejtësi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: