TIRANË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur vendimin e Partisë Socialiste për përjashtimin nga grupi parlamentar të deputetit Tom Doshi. Si asnjëherë më parë, ambasada e SHBA-së është shprehur e qartë duke mbajtur një qëndrim dhe pozicionim në konfliktin që ka kapur politikën apo të majtën shqiptare.

Ambasada amerikane ka nxitur partitë të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale dhe i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

Pas daljes nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, ku u përjashtua, Tom Doshi bëri me dije se në lidhje me porosinë për vrasjen e tij dhe deputetit Mhill Fufi, ka njoftuar edhe Senatin Amerikan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb