SHBA- Sipas dy zyrtarëve të ekipit të tranzicionit, presidenti i kompanisë “Exxon Mobile”, Rex Tillerson ka dalë në krye të listës së kandidatëve për postin e Sekretarit të Shtetit.

Tillerson i bashkohet ish-kritikut të zotit Trump dhe kandidatit presidencial të vitit 2012 Mitt Romney si pretendentët kryesor për postin më të lartë diplomatik të vendit. Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudolph Giuliani, u tërhoq nga konsiderata për postin të premten duke cituar plane për t’u kthyer në sektorin privat.

Tillerson, shefi ekzekutiv i një prej kompanive më të mëdha në botë, ka përvojë ndërkombëtare biznesi, përfshi Rusinë. Përfshirja e tij me Rusinë dhe lidhjet personale me presidentin Vladimir Putin, ka të ngjarë të tërheq një shqyrtim të hollësishëm gjatë seancës së konfirmimit në senat.

Tillerson u takua privatisht me presidentin e zgjedhur të martën, pas rekomandimeve nga ish Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates. Një zyrtar i ekipit të tranzicionit tha se Trump është i impresionuar nga stili dhe eksperienca e zotit Tillerson.

Pretendentë të tjerë për postin e sekretarit të Shtetit përfshijnë ish-ambasadorin në Kombet e Bashkuara John Bolton, ish kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Bob Corker, ish kreu i kompanisë, Ford Alan Mulally, dhe admiral në pension i marinës, James Stavridis.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb