Nga Mira Bregu, OKB-GJENEVË

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara (OKB), Nikki Haley, njoftoi se vendi i saj është tërhequr nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ajo tha se “ky këshill nuk është i denjë për emrin e saj”, si dhe pretendoi se asnjë vend tjetër “nuk kishte guximin të bashkohej me luftën tonë” për të reformuar trupin “hipokrit dhe vetë-shërbyes”.

“Duke vepruar kështu, unë dua ta bëj të qartë se ky hap nuk është tërheqje nga angazhimet tona për të drejtat e njeriut”. Theksoi Haley dje në mbrëmje, në një konferencë të përbashkët për shtyp në departamentin amerikan, së bashku me Sekretarin Amerikan të shtetit, Mike Pompeo.

Duke rikujtuar se presidenti amerikan, Donald Trump, një vit më parë ka bërë të ditur se SHBA-të do të tërhiqen nga këshilli nëse nuk kryhet reformë brenda Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Haley vlerësoi se gjatë kësaj kohe në këshill nuk është bërë ndonjë ndryshim.

Gjithashtu ajo u shprehu se “këshilli ka një paragjykim kronik kundër Izraelit”. Haley theksoi se shkelje të të drejtave të njeriut ka edhe në vendet e tilla si Kina, Kuba, Venezuela, Egjipt dhe Rusi të cilat janë në Këshill dhe pengojnë përpjekjet e SHBA-së për të reformuar këshillin.

Më tej, duke vlerësëruar se “ky këshill nuk është i denjë për emrin”, ajo vuri në dukje se SHBA-të mund të bashkohen sërish pas reformave që këshilli do të bëjë brenda strukturës së tij.

Ndërsa Pompeo, nga ana e tij pretendoi se këshilli është “i pamjaftueshëm” në pikën e mbrojtjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut. “Këshilli ka favorizuar vendet në shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksoi Pompeo duke mbrojtur idenë e tij se kritikat e bëra ndaj Izraelit nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut janë “hipokrizi”.

Reagimet pas deklaratës së Washington-it
Menjëherë pas njoftimit të tërheqjes së SHBA-ve nga Këshilli i OKB-së, Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në një deklaratë me shkrim thekson se: “Sekretari i Përgjithshëm do preferonte që SHBA-të të mbeten në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Arkitektura e të drejtave të njeriut e OKB-së po luan një rol shumë të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut anembanë botës”.



Deklaratë nga Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

Bruksel, 19 qershor 2018

Shtetet e Bashkuara njoftuan sot vendimin e tyre për t’u tërhequr nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në të cilën ata u zgjodhën në 2016 për një mandat trevjeçar.

SHBA ka qenë gjithmonë në ballë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut anembanë botës dhe për shumë vite ka qenë një partner i fuqishëm për Bashkimin Evropian në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Vendimi i sotëm rrezikon të minojë rolin e SHBA-ve si një kampion dhe përkrahës i demokracisë në skenën botërore. Megjithatë, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, qoftë në forume multilaterale apo në mbarë botën, duke bashkëpunuar me SHBA-të sa herë të jetë e mundur.

Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është në qendër të politikës së jashtme të BE-së dhe një shtyllë qendrore të sistemit të OKB-së. Nga ana e saj, Bashkimi Evropian mbetet i vendosur në Këshillin e të Drejtave të Njeriut si trup kryesor i Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në mbarë botën. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë për funksionimin efektiv dhe efikas të Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe mbetemi të përkushtuar për të bashkëpunuar me të gjitha vendet dhe me shoqërinë civile në mënyrë që të forcojmë Këshillin, duke mbrojtur arritjet e saj.

Ne ndajmë objektivin për ta bërë Këshillin e të Drejtave të Njeriut më efikas dhe për këtë arsye mbetemi të angazhuar fuqishëm në përpjekjet e vazhdueshme të efikasitetit të udhëhequr nga Presidenti i Këshillit për të Drejtat e Njeriut. BE është dhe do të vazhdojë të jetë një përkrahës i fortë i multilateralizmit dhe i sistemit më të gjerë të OKB-së.

Ne do të mbetemi plotësisht të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, për të cilat ne sivjet kremtojmë me krenari 70 vjetorin dhe vlerat dhe parimet e të cilit janë të pandashme nga ato të vetë Bashkimit Evropian.

Deklaratë nga Presidenti i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Ambasadori Vojislav Šuc (Slloveni)

Gjenevë, 19 qershor 2018 – Sapo mora vesh për vendimin e Shteteve të Bashkuara për tërheqjen e anëtarësisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Ndërsa e pranoj se është (prerogativë) e drejta e çdo shteti anëtar të marrë një vendim të tillë, dëshiroj të pranoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesëmarrëse shumë aktive në Këshill, duke qenë të angazhuar në mënyrë konstruktive për çështje të shumta që synojnë përmirësimin e jetës së mbajtësve të të drejtave rreth globit, duke përfshirë edhe shumë çështje të cilat po i drejtojmë në seancën tonë të tanishme. Këshilli për të Drejtat e Njeriut gjithmonë do të përfitojë nga angazhimi konstruktiv i shteteve të saj anëtare.

Në kohën kur vlera dhe forca e multilateralizmit dhe e të drejtave të njeriut po sfidohen çdo ditë, është thelbësore që të mbështesim një Këshill të fuqishëm dhe të gjallë që e njeh atë si një pjesë qendrore të Kombeve të Bashkuara për shekullin e 21-të.

Gjatë 12 viteve të fundit, Këshilli i të Drejtave të Njeriut ka trajtuar shumë situata dhe çështje të të drejtave të njeriut duke i mbajtur ato në një fokus të theksuar. Në shumë kuptime, Këshilli shërben si një sistem i paralajmërimit të hershëm duke fryrë këmbanat e alarmit përpara krizave të mëdha ose të përkeqësuara.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut është i vetmi organ ndërqeveritar që i përgjigjet çështjeve të të drejtave të njeriut dhe situatave në mbarë botën, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile. Ajo siguron një mjedis unik për të dëgjuar një gamë të gjerë pikëpamjesh, duke përfshirë ato që organizatat e tjera nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të diskutojnë.

Dëshmia e rolit të rëndësishëm që luan Këshilli po shpaloset në seancën tonë të tanishme ku dhjetëra ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut dhe organe hetuese, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe pjesëmarrës të tjerë, po vlerësojnë bashkësinë ndërkombëtare rreth çështjeve dhe situatave të të drejtave të njeriut në gjithë botën.

Çështja e plotësimit të vendit të lirë të mbetur në anëtarësimin e Këshillit nga vendimi i Shteteve të Bashkuara do të duhet të adresohet nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i filloi punimet e Sesionit të 38-të të saj këtë javë në Gjenevë, më 18 qershor deri më 6 korrik 2018,

– Komisioner i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, në hapjen e këtyre takimeve të Këshilit për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara , Zeid Ra’ad Al Hussein, mes analizës së tij dhe fakteve për të gjitha problematikat në vende të ndryshme si : Siri, muslimanëve Rohingya në Mianmar ,Kinë, Izrael etj. -kërkoi nga administrata amerikane t’i japë fund politikës së saj të ndarjes me forcë të fëmijëve të emigrantëve pa dokumente nga prindërit e tyre,

“Në SHBA, unë jam thellësisht i shqetësuar nga politikat e adoptuara së fundmi që dënojnë fëmijët për veprimet e prindërve të tyre. Gjatë gjashtë javëve të fundit, gati 2.000 fëmijë janë ndarë me forcë nga prindërit e tyre”, theksoi gjatë fjalimit të tij, Al Hussein.

“Unë u bëj thirrje SHBA-ve që menjëherë të përfundojnë praktikën e ndarjes me forcë të këtyre fëmijëve dhe e inkurajoj qeverinë që të paktën të ratifikojë Konventën për të Drejtat e Fëmijës, me qëllim që të sigurohet se të drejtat themelore të të gjithë fëmijëve, statusi i tyre administrativ, do të jetë në qendër të të gjitha ligjeve dhe politikave vendore”, shtoi Komisioneri i Lartë.

Për kujtesë:

SHBA-të e bojkotuan Këshillin për të Drejtat e Njeriut për tre vjet gjatë presidencës së Xhorxh W. Bush dhe iu bashkuan në vitin 2009 gjatë udhëheqjes së Barack Obama.

Tërheqja e Uashingtonit nën presidencën e Donald Trump nuk është refuzimi i fundit i SHBA-ve në angazhimin shumëpalësh, pasi u tërhoq nga marrëveshja e klimës së Parisit dhe marrëveshja bërthamore e Iranit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb