TIRANE– Drejtori i Policisë Rrugore, Mit’hat Tola ka folur për aksidentet rrugore të cilat janë më të shpeshta në sezonin turistik. I ftuar në rubrikën ’Opinion’ në ‘News24’, Tola tha se sezoni turistik mbingarkon akset rrugore të vendit. Sipas tij shkaku kryesor i rrugëve janë moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe parakalimet e gabuara.

“Sezoni turistik i mbingarkon rrugët dhe policia ndjek këtë trend dhe i ka bërë patrullat më të lëvizshme. Nëse ka sjellje të palejuara në rrugë drejtuesit do ndëshkohen. 806 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakalim të mjetit. Janë arrestuar rreth 50 persona. 100 persona janë kapur të alkoolizuar. Masa maksimale për ata që shkelin rregullat. Duhet të respektohen normat e sjelljes. Shkaku kryesor i aksidenteve zakonisht janë parakalimet e gabuara”- tha Tola.

Tola është pyetur edhe për aksin rrugor Lezhe-Shkodër, ku gjatë sezonit turistik është mjaft problematik. Ai tha se ky aks rrugor ka ndërprerje të rrugëve dytësore me rrugët kryesore.

“Unë isha sot për inspektim në këtë aks. Ky aks ka ndërprerje të rrugëve dytësore me rrugët kryesore. Eshtë një aks mjaft i ngarkuar dhe duhet të shmangen parakalimet e gabuara. Aparaturat radar janë me orar të përcaktuara në këtë aks rrugor. Nëse drejtuesit e mjeteve i përsërisin shkeljet atyre u pezullohet leja e drejtimit”- tha Tola.

Sa i përket marrëdhënieve të Policisë Rrugore me bashkitë dhe Ministrinë e Transporteve, Tola tha se në çdo aksident evidentohen edhe elementët përbërës të rrugëve, por në 95% aksidenteve shkaktarë janë drejtuesit e mjeteve.

“Në 95% të aksidenteve shkak janë drejtuesit e mjeteve. Ne kemi ngritur edhe shqetësimet për sigurinë në rrugë. Ne çdo aksident evidentojmë elementët përbërëse të rrugës, pra ndriçimi, kanalizimet, amortizimi dhe këtë ja çojmë entit pronar të rrugës. Policia rrugore ka rol parandalues të aksidenteve”- tha Drejtori i Policisë Rrugore.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb