Skënderbeu ka fituar me shumë mundime edhe pse 2 nga 3 golat e ndeshjes me Laçin janë shënuar nga kurbinasit. Korçarët në sfidën e luajtur në stadiumin “Skënderbeu” kanë mundur me rezultatin 2-1 skuadrën e drejtuar nga Gentian Mezani.

Takimi u zhbllokua në minutën e 27-të me një autogol të një ish-futbollisti të Skënderbeut, Ademir Soza, i cili dërgon topin në portën e gabuar. Vendasit pasi morën avantazhin ulën ritmin duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 1-0.

Në pjesën e dytë, ekzaktësisht në minutën e 59-të, Lushkja barazon rezultatin duke goditur saktë nga brenda zonës. Baraspesha do të zgjaste për vetëm 15-të minuta pas Jashanica me kokë i riktheu buzëqeshjen vendasve.

Gjithsesi pak para fundit kurbinasit do të humbisnin mundësinë më të mirë për të shënuar. Kapiteni Ansi Nika gabon nga pika e bardhë e penalltisë duke shndërruar në hero portierin Orges Shehi.

Pas 5 javësh kampionat Skënderbeu mban vendin e parë me 13-të pikë, 3 më shumë se Kukësi. Ndërsa Laçi pozicionohet e 6-ta me 6-të pikë, 1 më shumë se Vllaznia, Luftëtari dhe Partizani.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: