NGA DRITAN SHANO

Sekretari i Shtetit John Kerry, vjen në Tiranë në datën 14 Shkurt. Ditën e Shën Valentinit. Ditën e dashurisë dhe devocionit. Me kalendar në dorë mund të jetë që kjo vizitë përkujton rikthimin e dashurisë me USA dhe Shqipërisë rreth 25 vjet më parë.

Përveç kësaj thuhet se vjen të nxisë qeverinë Shqiptare të luajë një rol konstruktiv në marrëdhëniet me Kosovën dhe po ashtu të falenderojë qeveritë shqiptare për rolin mbështetës që kanë luajtur për axhendat globale të demokratizimit duke u bërë strehë e opozitarëve të vendeve ku luftohet dhe ku liritë njerëzore mungojnë. Siç është rasti i ujgurëve në të shkuarën apo i 1000 iranianëve që do na vizitojnë së shpejti. Dhe kjo bëhet publikisht në respekt te popullit shqiptar, por dhe që të evitohen situata të pakëndshme prej diletantesh aguridh si ajo çështja e armëve kimike para nja dy vjetësh.

Punët globale pas dy luftërash botërore kështu janë ndarë. Me ato të mëdhate merren SHBA e ndonjë tjetër, me këto të voglat merren vende si Shqipëria. Dhe për këtë ka mesazh te rëndësishëm se kush takohet drejpërdrejt në këto vende. Në rastin tonë Kryeministri aktual, dhe Kryeministri i ardhshëm i këtij vendi me 2.7 milionë banorë. Kështu nuk ka paqartësi. Se kush është kush. Se cilët janë dhe do jenë interlokutorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Megjithatë, deri këtu jemi “business as usual”.

Por thuhet që do diskutohet edhe reforma në drejtësi. Kjo nuk është “business as usual”. Kjo është një çështje e brendshme që ne Shqiptarët, më të lashtë se gurët, dhe që duam të hyjmë në Europë, duhet ta kishim zgjidhur vetë. Në të tilla raste është mesazh i rëndësishëm kë takon, por po aq i rëndësishëm është se kë nuk takon. SHBA-të e kanë bërë të qartë me vepra, më shumë se një herë në këto 25 vjet se ato mbështesin dhe favorizojne demokracinë, lirine politike, ekonomike dhe njerëzore të popullit shqiptar dhe jo liderat e përkohshëm me të cilët kryejnë takimet zyrtare.

Është e qartë se gjatë këtyre viteve shoqëria jonë, elitat politike dhe shoqërore shqiptare, të formuara sipas skemës vertikale paternaliste, më shumë se të miëqeverisin janë kujdesur te kontrollojëe mundësitë e shqiptarëve, duke i mbajtur ata të varfër. Duke i bërë ata jo kasapë sic është zbuluar së fundmi nevoja mediatike e Kryeministrit por emigrantë profesionistë.

Është po ashtu e qartë që ne vetë nuk e nxjerrim dot gomarin nga balta për aq kohë sa në këto dhjetë vjetët e fundit ka fituar terren modeli politik që duket se u garanton shqiptarëve kotheren për shkak se arrin të jetë gjithnjë në pushtet, duke përqeshur, duke iu zgërdhirë në surrat kujtdo që beson dhe hedh votën për alternativat qeverisëse. Modeli i kotheres së suksesit sot është pushteti, është të kapesh duke vjedhur e vrarë, dhe jo vetëm të shpallesh i pafajshëm me vendim gjykate, por edhe të jesh në majë të shtetit, duke përligjur me legjislacion

autoritarizmin, dhe arbitraritetin. Kjo kothere që duket si një vakt i sigurtë por në fakt është helmi që garanton degjenerimin dhe vdekjen e ngadaltë të kombit.

Pse them Shën Kerry? Një nga disa kushtet që të quhesh shenjt është të jesh burim i një fuqie a pushteti dashamirës. John Kerry, si zbatues i Kushtetutës Amerikane nga pozicioni i SECSTATE e plotëson këtë kusht për ne. Shën Kerry vjen si shenjt i popullit të varfër, të pafuqishëm, te gjunjëzuar shqiptar, dhe asfare i politikës shqiptare. Për politikën shqiptare Shën Kerry vjen të garantojë me forcën e SHBA-ve devocionin ndaj të drejtës. Dy vjet më pare, në 4 shkurt 2014, nga Mynihu ai deklaronte se: “Ne shohim një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qëndrore dhe Lindore dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve po shtypen nën interesa të korruptuara, oligarkike, interesa që përdorin para për të kufizuar opozitën politike dhe pakënaqësinë, për të blerë politikanë dhe instrumenta mediatike, dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e organizatave jo-qeveritare.” Dy vjet më parë, për hesap edhe të popullit shqiptar ai na tregonte të keqen që duhet të shkulnim. Ne shqiptarët hiç! Politika jonë moçal hiç. Përkundrazi, vavavu me tendera e konçesione.

Ai vjen në Shqipëri dy vjet më pas, në 14 shkurt 2016, si Shën Kerry me fuqinë dashamirëse që të sigurohet se tallavaja e të shumëzgjuarve xhepaplot të politikës shqiptare duhet të marrë fund njëherë e mirë. Shën Kerry me ç’duket e di që këta për një fotografi apo takim me të janë gati të presin me hanxhar edhe krahun me të cilin mund të kenë vjedhur, le më të miratojnë ligje reformën në drejtësi, dekriminalizimin apo Byronë e Hetimit. Sikur ai të pranonte të dilte fotografi me te gjithe Parlamentarët shqiptarë ndoshta do gdhiheshim me nje paralament doracësh.

Sepse kështu mendojnë se i zgjasin jetën politike vetes së tyre. Sepse kështu do kenë mundësi, edhe pse me krah të prerë, të vazhdojnë spërdredhjet mashtruese për reformën në drejtësi, për byronë e hetimit, për zgjedhjet që garantojnë përfaqësimin e popullit dhe nuk e mbushin parlamentin me kriminelë, ndërsa nga ana tjetër intensifikojnë dashurinë kineze E di që është e tepërt por uroj që Shën Kerry të na vijë dhe nja katër pesë herë të tjera që këto çështje mos mbeten pezull po të marrin rrugë e të zbatohen. Kështu na del frika që kemi si milet, dhe fillojmë trimërohemi si komb!

Mirësevjen Shën Kerry!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: