Braziliani Danilo Alves, futbollisti që i dha fitoren Flamurtarit sot në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut, pas ndeshjes është shprehur shumë i lumtur për këtë arritje, por ai shton se asgjë nuk ka përfunduar pasi llogaritë do të mbyllen në takimin e dytë.

I lumtur për fitoren dhe për golin?

Skuadra ka luajtur shumë mirë, Skënderbeu është një skuadër e fortë. Sot luajtëm mirë, por duhet të jemi të përgatitur edhe për ndeshjen e kthimit. Sot e patëm të vështirë, por sot u rikthyem në lojë dhe rezultate.

E sheh më pranë finales Flamurtarin apo Skënderbeun?

Do luajmë edhe ndeshjen e kthimit, e më pas do shohim edhe finalistin tjetër, Kukësin apo Laçin.

Ngërç psikologjik tek Flamurtari, çfarë po ndodh?

Të gjithë lojtarët po punojmë fort, nuk di ta shpjegoj. Kemi dhënë më të mirën. Sot ishim me fat, nuk dua ta lartësoj shumë këtë fitore. Do mundohemi edhe në ndeshjen e kthimit, pasi asgjë nuk është mbyllur.

Si e sheh Flamurtarin në këtë sprint final të kampionatit?

Sot donim këtë fitore, e morëm, dhe na dha besim për të fituar çdo takim tashmë e në vazhdim.

Kamara apo Bushiç më mirë në sulm? Si është të ndëshkosh Skënderbeun që ju donte kaq shumë gjatë verës?

Për mua janë dy lojtarë shumë të mirë. Bushiç është kapiten, shumë i fortë dhe me eksperiencë. Por, të dy janë shumë të rëndësishëm për skuadrën. Jam i lumtur, pasi është bukur të shënosh për një sulmues. Kisha javë pa shënuar, dhe tashmë vjen ky gol.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb