TIRANË- Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje ka qenë në qendër të debatit të sotëm në studion e emisionit “Studio e hapur” në News24. Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi është përplasur live me sekretarin për aksionin qytetar në PD, Ervin Salianji duke e quajtur idiot. Por nuk ka munguar përgjigja e Salianjit që i ka thënë ‘palaço”

Ndërsa Gjinushi ka thënë se është hera e parë që opozita nuk hyn në zgjedhje në 27 vjet, ka ndërhyrë Salianji duke i kujtuar kohën e Ramiz Alisë. “Është hera e parë që opozita nuk ka hyrë në zgjedhje. Në 27 vjet nuk ka pasur zgjedhje pa opozitën”, ka thënë Gjinushi.

“Normal kur ke qenë ti në kohën e Ramiz Alisë nuk ka pasur opozitë. Ka pasur një parti”, i ka thënë Salianji.

Kaq ka mjaftuar që situata në studio të nxehet dhe Gjinushi i është drejtuar Salianjit: “Po ti qenke një idiot! Injorant! I ke buzët me qumësht”. Ndërsa Salianji i nervozuar e ka quajtur “Palaço”.

Pas qetësimit të situatës, Gjinushi ka vijuar sërish në linjën e tij, duke shtuar se rastet kur opozita nuk ka hyrë në zgjedhje, kanë qenë kur e kanë dëbuar nga ky proces.

“Në 27 vite nuk ka ndodhur që opozita të mos hyjë në zgjedhje, ka ndodhur që e kanë dëbuar. Procesi zgjedhor ka ardhur drejt përmirësimit. Balanca erdhi në 2005-ën, me Nanon. Edhe raportet po t’i lexosh me radhë, ka pasur rol aktiv policia. Policia në përgjithësi, zbaton rregullat e lojës. Maxhoranca duhet të lëshojë. Këtu ndodhi që procesi i rekomandimeve u ndërpre, nga kërkesat për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kaloi tek kërkesat politike. Kusht i zgjedhjeve u bë ndryshimi i qeverisë. Këtë opsion nuk e mbështetën as ndërkombëtarët. Për votimin elektronik e kemi kërkuar ne, edhe kur ishte PS në opozitë, pastaj më vonë nuk u ndje më. Kur je në opozitë do garancira më shumë, ndërsa kur je në qeveri e ke më lehtësi. Për të marrë masat për zgjedhjet e radhës duhen dy vjet kohë, sidomos kur do të fusësh idera të reja. Qeveria teknike, se pranon kurrkush. Kjo u kërkua me shpresën se koalicioni do çahej. Shpresa e PD ishte me shpresën që të çahej koalicioni PS-LSI. Erdhën negociatorët dhe dhanë një mbështetje maksimaliste”, theksoi Gjinushi.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb