Sherr në tribunën VIP, tension në fushë, po lemika për një penallti dhe ofendime pa fund thuajse gjatë gjithë ndeshjes. 90 minutat e luajtura dje në Laç mes vendësve dhe Kukësit i kanë pasur brenda të gjitha, por vetëm golat jo. Sikur të mos mjaftonin problemet në fushë, me arbitrin Kridens Meta si protagonist negativ, një incident në pushimin mes pjesëve në tribunën ku qëndrojnë personalitetet, ka prishur edhe më shumë ndeshjen.

“Panorama Sport” mëson se një tifoz kurbinas, i ndodhur në sektorin VIP, ka sulmuar presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Fillimisht ai e ka ofenduar, teksa i ka kërkuar llogari për atë që ndodhi në ndeshjen e Kupës në Kukës. Gjici u përfshi në këtë debat të zjarrtë, ndërsa tifozi vijonte të ofendonte.
Gjici-470x313-470x313
Megjithatë, ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka evituar degradimin e situatës. Forcat e rendit shoqëruan menjëherë në komisariatin e Laçit tifozin që, pasi ofendoi presidentin e Kukësit, tentoi edhe ta godiste atë.

Një ngjarje e turpshme, për më tepër në sektorin VIP. Në atë moment nuk kanë qenë të pranishëm në tribunën VIP as drejtuesit e Laçit, të cilët me të mësuar ngjarjen kanë shfaqur indinjatën e tyre për këtë incident të pazakontë, duke u solidarizuar me kreun e klubit kuksian, Gjici. Nuk është hera e parë që në stadiumet tona ndodhin skena të tilla.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/sherr-ne-tribunen-vip-sulmohet-presidenti-safet-gjici/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: