TIRANE – Pas denoncimit të biznesmenit Altin Bamllari për dhunën policore, një video e publikuar në mediat online tregon nga afër sherrin mes pronarit të piceri “Era” dhe disa punonjësve të Policisë Rrugore.

Forcat e Policisë ndaluan djalin e Bamllarit, për shkak se automjeti kishte një gjobë prej 15 mijë lekë të reja të pa paguar. Videoja amatore, e publikuar nga Newsbomb, e filmuar pranë stacionit të urbanit tek Piramida, tregon momentin kur Bamllari debaton me punonjësit e Policisë.

“Nuk ka bërë asgjë djali. Lërë more djalin. Nuk do të vijë se nuk ka bërë asgjë. Ca do ta fusni tani në orën 1 aty që nuk kemi ku të marrim njëri në telefon. Unë jam miku i Toles (Mithat Tola, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore), juve t’u vije turp. I Saimirit (ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri), i Engjëllushit, e i dreqit e i shejtanit jam”, – shprehet Bamllari.

Ndërsa njëri prej policëve dëgjohet teksa mundohet t’i shpjegojë për gjobën 150 mijë lekë nga mungesa e siguracionit.

Ndërkohë, një tjetër video e siguruar nga kamerat në zonën pranë kullave binjake përballë piramidës, tregon momentin kur dy persona shfaqen duke vrapuar në drejtim të piramidës. Në ndjekje të tyre është një polic.

Biznesmeni Altin Bamllari përmes një statusi në “Facebook” bëri të ditur se ishte dhunuar bashkë me të birin nga Policia mbrëmjen e së shtunës, pas mesnate.
Nga ana e saj, Policia ka nxjerrë një deklaratë në të cilën bën me dije se biznesmeni së bashku me të birin ka kundërshtuar policinë dhe janë larguar me vrap nga makina.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: