TIRANE- Arrestohet në Tiranë Ali Mena, 27-vjeçari i shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur më 11 korrik në kryeqytet, kur gjashtë të rinj u përfshinë në një konflikt të dhunshëm me përdorimin e thikave dhe armëve.

Mena akuzohet të jetë autori i plagosjes së shtetasve Xhenis Vrapi dhe Jurgen Shakri.

Shërbimet e Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit: Ali Mena, 27 vjeç, banues në Tiranë.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë, pasi ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga ana e D.V.P.Tiranë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 78/1, 22, e 278/1 të Kodit Penal.

SI NDODHI NGJARJA
Nga hetimet ka rezultuar se konflikti ka nisur për shkak se dy të plagosurit, dhe një person tjetër bashkë me disa miq kishin bllokuar rrugën duke ndaluar paralelisht makinat e tyre.

Ata kanë qenë duke biseduar nga makina në makinë dhe nuk i lironin rrugën një tjetër mjeti që ndodhej pas tyre, ku udhëtonte edhe Ali Mena e që i sinjalizonte që t’i hapnin rrugën për të kaluar. Ky dyshohet të ketë qenë edhe motivi i ngjarjes që u mbyll me dy të plagosur me armë zjarri.

Konflikti ka precipituar deri në përdorimin e armëve të zjarrit ndërmjet tyre. Për pasojë kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën shtetasit Xhenis Vrapi, 27 vjeç, dhe Jurgen Shakri, 25 vjeç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb