TIRANË- Maxhoranca dhe opozita janë përplasur sot në Komisionin e Sigurisë për çështjen e përmbytjeve dhe dëmshpërblimin e banorëve. Deputeti i PD-së Flamur Noka, njëkohësisht zv.kryetar i komisionit i ka akuzuar deputetët e PS-së se po luajnë lojën dhe po bëjnë fasadë pasi qytetarëve nuk do t’u japin dëmshpërblim.

Ndërsa një prej truprojave të sigurisë ka kërkuar të nxjerrë kamerat jashtë, Noka ka treguar ‘forcën’ duke thënë se nuk e ndalon dot Rama jo më kryetarja e komisionit Ermonela Felaj, të cilës i ka ndryshuar emrin.

Pjerin Ndreu: Duhet të jemi në harmoni në menaxhimin e këtyre situatave. Edhe me evidentimin e këtyre problematikave dhe me dhënien e zgjidhjeve se si.

(Noka hap mikrofonin, Felaj e ndërpret)

Felaj: Jo një minutë fjalën e ka kërkuar zoti Murrizi. A mund ta dëgjoj zotin Murrizi çfarë do thojë. Të lutem tani të ma thojë ai që s’do flasë.

(Noka i rrëmben mikrofonin me forcë).

Felaj: Ç’është kjo histori?

Noka: Po tani ç’është kjo histori…Kur të them unë do flas. Kur të kërkoj unë fjalën nuk bëhet fjalë me thënë nuk ka fjalë.

Felaj: Lëri këto sjellje se nuk të pinë ujë.

Noka: A ka mundësi pusho. Pusho!

Felaj: Turp për ty që je dhe burrë dhe je dhe nga një zonë dhe merresh me këtë histori me një mikrofon. Nuk kam ardhur këtu për të bërë luftë me ty por unë kam respekt për këtë kolegun tim që kërkoi fjalën. Lëre atë të thotë, tërhiqem nga komunikimi që të marrësh fjalën ti.

Noka: Turp për ty. Nuk merrem me ty, merrem me fjalën time. Oj vajzë shko mëso rregullat. Nuk të kërkoi kush respekt ty, s’ka kush nevojë për respektin tënd askush. Dëgjo të flas unë këtu. Lërë atë. S’ka nevojë të japë llogari ty ai. Këta s’janë me të dhënë llogari ty. Sa kanë parë si puna jote para teje dhe sa do shohin pas teje. Dëgjo këtu Pjerin. Qëndrimi i opozitës…

Felaj: Ju faleminderit për prezencën. Kjo mbledhje mbyllet këtu. (Felaj dhe deputetët e PS ngrihen më këmbë për të dalë)

Noka: Qëndrimi i opozitës në këtë situatë ka qenë për të treguar solidaritet njerëzor, ndryshe nga ju që se keni bërë kurrë, një. E dyta, hile qytetarëve os u bëni kur dëmshpërblim do të thotë gjendje emergjence, kur nuk shpallet gjendje emergjente ju i keni futur gishtin qytetarëve dhe nuk i dëmshpërbleni. Qeveria e PD-së 30 milionë euro vendime qeveria. Janë dhënë pse, sepse janë shpallur gjendjet e emergjencës, janë dëshmpërblyer qytetarët dhe ky është qëndrimi. Ajo që po shohim, është e turpshme dhe është e neveritshme. I shikoni këta. Fjalën s’ma ndalon dot mua jo kjo salmonela, por s’ma ndalon dot mua askush se e kemi fituar dikur që ta dish ti. O çun, o çun, çun prit ti, largohu, kush të tha, ça je ti, kalo aty. Po dilke ti aty me iu tregu atyre. Këtu nuk del as Edi Rama, po më delke ti aty.

Më herët në mbledhje Noka kërkoi që të dëmshpërblehen qytetarët.
“Erdhëm këtu në respekt të qytetarëve në respekt të banorëve. Nëse do ishte shtet normal duhet të kishte një kryetar të shtabit të emergjencave. Kjo është një nga gjëmat që ka bërë qeveria e timonierit. Pse nuk dhe asnjë shifër për përmbytjet. 3 qarqe nën ujë. Nuk u shpall gjendja e emergjencës. Pasi duhet të vlerësohej dëmi një për një i banesave dhe duhet të dëmshpërbleheshin. Qytetarët nuk janë dëmshpërblyer ende për 2015. Të vetmit që kanë qëndruar në krah të banorëve kanë qenë ushtarakët megjithëse nuk është detyra e tyre parësore. Qeveria shkonte thjesht për fasadë. Lali eri lëshoi rezervuarët dhe dolën peshqit prandaj u përmbyt autostrada. Njerëzit te City Park qeveria u ka thënë mos dilnit por rrinit në shtëpi kur telefononin për ndihmë”, deklaroi Noka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb