IRAK – Policia në Irak ka parandaluar një sulm vetëvrasës në Kirkuk, në veri të Bagdadit, duke arrestuar në kohë kamikazin adoleshent që mbante në trupin e tij një rrip eksplozivi. Mësohet se kamikazi i moshës 12-13 vjeç, që kishte veshur një bluzë të Barcelonës me emrin e Messit, u kap në përpjekje për të hedhur veten në erë.

Fëmijët po përdoren gjithnjë e më shumë nga ISIS për të kryer sulme vdekjeprurëse.
Ngjarja në Irak ndodhi një ditë pas shpërthimit të kamikazit adoleshent, që vrau 51 persona dhe plagosi rreth 100 të tjerë, në një ceremoni martesore, në provincën juglindore turke Gaziantep, në Turqi.

ISIS PO KOPJON “BOKO HARAM”, HEDH NË SULM FËMIJËT KAMIKAZË
Fëmijët e vegjël dhe adoleshentët po përdoren gjithnjë e më shumë si kamikazë në shumë vende të botës, kryesisht në Nigeri, nga organizata Nigeriane islamike ‘Boko Haram’. Ndërsa në Turqi, sulmi i së dielës, ishte i pari ku u përfshi një fëmijë. Autoritetet konfirmuan se sulmi kishte lidhje me ISIS.

Nigeria është vendi i parë ku gjithnjë e më shumë fëmijë përdoren për të kryer sulme vetëvrasëse në fushën e liqenit të Çadit, nga organizata Nigeriane islamike Boko Haram, thuhet në një raport të UNICEF. Nga 4 fëmijët e përdorur në sulmet në vitin 2014, numri i tyre u rrit në 44, një vit më vonë. Tre nga katër vetëshpërthyesit në 2014-ën ishin vajza.

Në Kano të Nigerisë, në dhjetor të vitit 2015, 6 vetë u vranë në një sulm vetëvrasës të shkaktuar nga një fëmijë. Në korrik në të njëjtin qytet, një 13-vjeçar u vra teksa shpërtheu eksplozivin.

Në MAFA, në verilindje të Nigerisë, një milic dhe katër vajza kamikaze u vranë në dhjetorin e shkuar, ndërsa në janar 2015 në Maiduguri të paktën 19 njerëz u vranë, kur një vajzë vetëm 10 vjeç shpërtheu bombën që mbante.

Në Afganistan në vitin 2012, një i mitur vrau të paktën 6 persona në afërsi të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, në zemër të Kabulit. Përgjegjësinë për sulmin e morën talebanët.

Dy vjet më parë u arrestua një 15 vjeçar, i cili tentoi të kryejë një sulm vetëvrasës në urdhër të talebanëve në zyrën e një guvernatorit rajonit pranë Kandaharit, ndërsa në mars të vitit 2016 një 12-vjeçar i cili ishte përgatitur nga talebanët për t’u bërë një sulmues vetëvrasës u dorëzua tek autoritetet.

Në Siri sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut që nga fillimi i 2015 xhihadistët e Shtetit Islamik kanë përdorur për krime lufte të paktën 18 fëmijë.

Ndërsa në Irak, OKB-ja denoncoi në shkurt të vitit 2015 rekrutimin e e një “numri të madh fëmijësh”, ndër të cilët edhe të mitur me aftësi të kufizuara. Fëmijët e përdorur në beteja, ishin vetëvrasës apo mburoja njerëzore, dhe iu janë nënshtruar abuzimeve seksuale dhe formave të tjera të torturës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb