Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE – Shkëlzen Doli, violinisti që u bë i njohur për shqiptarët për interpretimin e muzikës sonë në koncertin e Vjenës më 1 janar, ka ardhur dje në Tiranë. Sonte në mbrëmje, ai do të interpretojë një pjesë muzikore në koncertin “Tre Tenorët”, që mbahet në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve. Në një intervistë për mediat shqiptare, ai rrëfen udhëtimin e tij nga Elbasani në Vjenë. Në fillim, ai shprehet se e ndjente si obligim moral të ishte pjesë e “Tre Tenorëve”, si shqiptar i lindur në Elbasan dhe i rritur në Gjakovë.
Çfarë dinit për këtë koncert?
Di që është bërë si formë tradite e përvitshme në Shqipëri, nisur pak a shumë nga shembulli i “tre tenorëve të mëdhenj” Pavaroti, Domingo dhe Carreras. Mund të them se artistët shqiptarë që janë tashmë pjesë e skenave botërore kanë arritur nivelin e atyre tre tenorëve të mëdhenj.
Në “Koncertin e Vjenës”, ju interpretuat një pjesë muzikore shqiptare. Si erdhi kjo ide dhe si u bë e mundur?
Ishte një moment i jashtëzakonshëm për mua, sepse kam punuar gati një vit për të. Kam filluar të merrem me përgatitje në janar të 2014-ës, për të arritur këtë qëllim. Duhej filluar nga planifikimi, duke u marrë vesh me Radiotelevizionin e Austrisë, pasi si produksion është i ndarë mes Filarmonisë së Vjenës dhe Radiotelevizionit të Austrisë. Mora të drejtën që ta shfaqja atë material në pauzën e Koncertit të Vitit të Ri. Ishte një çast shumë i mirë, sepse prej vitesh kam arritur të eksploroj dhe të tregoj muzikën tonë të bukur andej. Ishte e veçantë që ta dëgjonte e gjithë bota muzikën tonë të bukur.
Si u prit muzika jonë nga muzikologët e huaj?
Nga kolegët e mi dhe nga etnomuzikologët u prit mirë. E quajtën muzikë karakteristike dhe të veçantë. Aranzhimi që është bërë është i paketuar, për veshët europianë nuk ishte siç luhet këtu në Shqipëri. Por sërish kishte instrumente të veçanta, ndaj mora klarinetistin Xhembali, për të treguar autenticitetin e muzikës sonë.
Si i përzgjodhët pjesët muzikore?
Jam munduar të marr pjesët më tradicionale që karakterizojnë Shqipërinë. Jugu ka muzikë shumë të veçantë, që është luajtur bukur nga artistë si Laver Bariu.
Kam marrë pjesë muzikore nga disa zona të Shqipërisë, nga jugu, disa motive kosovare, për të arritur edhe te tingujt e Shqipërisë së Mesme. Përfundimi i pjesës muzikore 4-minutëshe është Shqipëria e Mesme.
Ju çuat Shqipërinë në Vjenë, sot çfarë sillni në Tiranë?
Do sjell Vjenën e kompozitorit dhe violinistit austriak Fritz Kreisler, që ka kompozuar pjesë të ndryshme dhe ka marrë elemente edhe nga baroku, por në frymën vjeneze.
Ndiheni më shumë shqiptar i Shqipërisë apo i Kosovës?
Ndihem vetëm shqiptar.
Si qe udhëtimi juaj nga Elbasani në Gjakovë?
Në fakt, jam gjakovar i lindur në Elbasan. Kam mamanë nga Përmeti, ndërsa babai im ka migruar si adoleshent nga Gjakova në Shqipëri. Ka jetuar këtu dhe unë linda në Elbasan. Unë kam qenë i vogël kur jemi kthyer sërish në Gjakovë, ndaj Shqipërinë nuk e njoh me të vërtetë. Kam ardhur për herë të parë më 1996, ku vizitova edhe Elbasanin.
Keni ardhur herë tjetër në Shqipëri?
Po. Kam qenë dhe kam luajtur Sibelius (Jean) me orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar. Dhe uroj në të ardhmen të kem bashkëpunime të tjera.
Duhet të presim surprizë tjetër nga ju në Vjenë?
Nuk besoj. Kulmi i evenimenteve që ndodhin në muzikën klasike në të gjithë botën është Vjena. Është kryeqyteti i kulturës dhe i artit. Filarmonia e Vjenës njihet si udhërrëfyese dhe udhëheqëse e muzikës klasike.
Dirigjentët që marrin famë vijnë te Filarmonia e Vjenës për të mësuar edhe nga vetë orkestra. Kisha fatin që në momentin e duhur të bëja gjënë e duhur.
Në fakt, si ka qenë udhëtimi juaj nga Gjakova në Vjenë?
Kam mbaruar filloren në Gjakovë dhe një shkollë muzike në Gjakovë. Më pas kam ikur për në Novisad, sërish në shkollë muzike. Aty ka qenë një ndër shkollat më të njohura për piano dhe harqe. Mësimet e para i kam marrë nga një profesor hungarez, e prej aty në Vjenë, ku jam edhe sot.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: