NGA FATMIRA NIKOLLI*

“Të them të vërtetën, është shumë vështirë të reagosh në këto situata kur nuk është e qartë se çfarë po ndodh”. Kështu shprehet Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Rajonin. Në një intervistë për “GSH”, ai shprehet se partitë shqiptare në Shkup kanë dështuar dhe se BDI-ja, nëse s’është e përfshirë në aferat e qeverisë, duhej të kishte dalë prej saj. Maliqi, ndalet edhe tek arsyet pse Rama dhe Thaçi duhej ta shtynin vizitën në Tetovë dhe thekson se për të, paçka asaj që ndodhi, Maqedonia nuk do të shpërbëhet.

Prej ditësh Kumanova është kthyer në qendër të vëmendjes së të gjithë shqiptarëve por edhe të arenës ndërkombëtare. Ju, si e shihni situatën, pse erdhi kjo situatë?
Është një situatë pak a shumë e fabrikuar, por shumë e paqartë se kush e fabrikoi në këtë mënyrë që të gjithë të jenë në dyshim në këtë histori. Është diçka që po ndodh periodikisht: çdo dy a tre muaj ke incidente serioze. Dy herë në vit duket sikur do të plasë një konflikt i madh ndëretnik. Së fundmi, kjo është drejtpërdrejt e lidhur me krizën e pushtetit në Maqedoni, me ofensivën e opozitës atje dhe kryetarit të saj Zaev, i cili ka qenë dinamik dhe ka mundur të sigurojë përgjimet që po i bën publike nga një në dy a tri ditë.

Është një tentim i opozitës por edhe i qarqeve të tjera që pushteti aktual të largohet dhe kryeministri Gruevski me të. Ka një përpjekje për t’u pastruar nga korrupsioni.

Roli i shqiptarëve në këtë farsë, në këtë krizë është i dyfishtë; edhe nga ana e pushtetit, edhe nga ana e këtyre grupeve, që na kthejnë 15 vite pas dhe duan që, edhe pse ekzistojnë instrumente demokratike, zgjedhjet, partitë dhe vullneti i shprehur në votë, ta kthejnë në një situatë, të vetëproklamimit të ushtrive çlirimtare, që është shumë e dyshimtë.
Ju dyshoni që ata janë të UÇK-së?
Unë nuk dyshoj. Si duket prej emrave që po dalin, po shihet se ata kanë luftuar në Kosovë, ndoshta edhe në Preshevë, dhe në luftën e Maqedonisë më herët.

Kujt po i shërbejnë në këtë rast? A po përdoren?

Ndoshta përdoren, nuk është e qartë. Ata flasin, sikur janë ata pronarët e të vërtetave, pronarët e interesit kombëtar. Nuk kanë një axhendë vetëm antimaqedonase apo vetëm anti-politikave shqiptare të partive që janë zyrtarisht në parlamentin e Maqedonisë, por ata flasin edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, e kundër krejt parisë shqiptare, kinse janë në rrugën e gabuar. Japin ultimatume. Kjo mund të kërkojë edhe largimin nga pushteti të Ali Ahmetit apo Menduh Thaçit.
Politika shqiptare atje praktikisht ka falimentuar, ashtu edhe ajo maqedone. Gjithë elita është në krizë, e megjithatë, duhen kërkuar instrumente më normale që kjo krizë të përfundojë jo përmes kësaj mënyre. Kjo që ndodhi në Kumanovë është disi e tejkaluar, si nga kompetencat, ashtu edhe nga mënyra e reagimit.
Dy partitë shqiptare në Shkup, BDI dhe PDSH, u prit që gjatë ditëve të tensionit, të reagonin, t’u bënin thirrje shqiptarëve, gjë që nuk ndodhi. Të martën, që vizituan Kumanovën, ata u pritën keq. Si e patë?
Sigurisht që do priteshin keq! Ata nuk duhej të reagonin vetëm për Kumanovën, ata nuk reaguan as për krizën njëmujore që pat mbërthyer Maqedoninë me protesta e më gjerë.
Ata nuk ditën të veprojnë në atë situatë. BDI-ja, që është në pushtet, duhej të nxirrte disa konkluzione e të vepronte, ose të ikte nga Gruevski dhe të provokonte një krizë qeveritare, sepse pa shqiptarët atje nuk mund të ketë qeveri ose kjo do të ishte e përkohshme. Edhe tërheqja nga një qeveri e korruptuar është veprim demokratik. Si duket, edhe ata vetë janë të përfshirë në krizë e në korrupsion dhe në problemet që ka Maqedonia. Mandej, në politikën shqiptare atje mungon prej vitesh, një lloj koordinimi strategjik: mund të kesh edhe pikëpamje të ndryshme, ose profilizim majtas e djathtas, por duhet të ketë një listë me 6, 7 a 10 kërkesa që nuk vihen në dyshim për shqiptarët dhe jo t’i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës. Vjet, Menduh Thaçi që mori pak vota, ‘e ulte pazarin’ që në një farë mënyre BDI-ja të kishte më pak ndikim në pushtet sesa duhej të kishte. Këto janë lojëra shumë naive dhe i japin shanse palës tjetër që të manipulojë me faktorin shqiptar. Duke vënë disa pika kryesore, shqiptarët mund të faktorizohen, të respektojnë njëri-tjetrin.

Protestat dhe Kumanova shënuan bashkimin e shqiptarëve dhe maqedonasve kundër qeverisë, çka nuk kishte ndodhur prej vitit 2001.
Ndoshta është vetëdijesimi gjithnjë e më i madh i opinionit publik dhe intelektualëve, por ky vetëdijesim nuk ka prekur subjektet politike. Po lexoj komente të arsyeshme që thonë: A duhet të krijohet një parti e re shqiptare, apo do votohet Zaevi, sepse ai po premton. Shumë vetë dyshojnë se në Maqedoni mund të ketë një demokraci që bazohet në qytetari e jo në etni. Mbase nuk është shumë e pritshme, por le të provohet. Maqedonia duket se po ndjek modelin e Bosnjës; atë e paralizoi, e mbase mund ta paralizojë edhe këtë.

-Reagimi i Tiranës zyrtare ka qenë me deklarata, me konferencë të ministrit të Jashtëm, ndërkohë në Maqedoni ne nuk kemi një ambasador. Si e ka ndjekur Tirana, ka dërguar njeri në terren? Dhe, a nuk duhet të bëjë më shumë? Çfarë mund të bëjë?
Të them të vërtetën, është shumë vështirë të reagosh në këto situata kur nuk është e qartë se çfarë po ndodh. Karakteri i konfliktit, një farë ndërhyrjeje në zona të banuara ku një grup, që ata i thoshin ‘terroristë’, por po them një grup i armatosur, u sulmua befasisht në mëngjes herët nga forcat policore.
Rrethanat, nuk i dinte askush, pra rrethanat e vërteta se çfarë ndodhi atje. Reagimi është i vështirë: mund të thuash ngushëllime, ose keqardhje për viktimat, ose të thuash se kjo nuk është mënyra për të zgjidhur problemet. Në këtë rast është pritur që të sqarohet situata dhe, nga ana tjetër, as Kosova e as Shqipëria nuk kanë ndonjë partner të sigurt atje, jo vetëm që nuk ka ambasador. Nuk ka një partner të cilit mund t’i besojë, ose raporte më të afërta. Politika e Shqipërisë është që të ketë fqinjësi sa më të mirë me Maqedoninë.

 Por, nga ana tjetër, a duhet t’i mbrojë Shqipëria interesat e shqiptarëve atje, sepse ishte një qytet shqiptar që u shkatërrua?
Parimisht, shqiptarët atje kanë shumë mundësi që të vetëmbrohen institucionalisht. Janë të përfaqësuar edhe në instanca të larta. Tirana zyrtare i mbron shqiptarët atje me kërkesën që të zbatohet plotësisht Marrëveshja e Ohrit. Ajo, disi po zbatohet. Sigurisht, ka elemente të saj që pushteti i Maqedonisë i shmang, në çështjet e sigurimit, në ato të shërbimeve sekrete, i largojnë shqiptarët kur duan të marrin një vendim, pra ka disa teknika me të cilat e shmangin zbatimin e plotë dhe nuk janë të barabartë në ushtrimin e pushtetit, apo nuk respektohet vullneti i tyre. Këta që janë në pushtet në Maqedoni, ende e kuptojnë atë si shteti i maqedonasve, ku shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm, prezent në numra shumë, por si një trup i huaj të cilit duhet t’i japin disa ‘koncesione’; e trajtojnë si një pakicë të rendit të dytë dhe i manipulojnë me këto elementin e përçarjes, duke i dhënë një kockë njërit e një tjetrit. Korruptojnë një pjesë të udhëheqësve.

Pra, ju po kritikoni partitë shqiptarë në Maqedoni?
Po.

 I njihni nga afër?
Po, i njoh, jo aq në detaje por i njoh. Prej vitesh mungon edhe përvoja, edhe përkushtimi dhe shfrytëzimi i instrumenteve ekzistuese në Maqedoni, si Kushtetuta, që shqiptarët të faktorizohen më shumë.

Deri tani, në qeverinë e Shkupit ka pasur disa dorëheqje. Nëse kjo vazhdon, ku na çon kjo situatë? Do ketë shpërbërje të Maqedonisë?
Nuk besoj të shpërbëhet Maqedonia. Dorëheqjet po tregojnë se, në vend që Gruevski ta japë vetë dorëheqjen, duke e marrë përgjegjësinë, ai flijon bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që kanë bërë gabime me mosndërhyrjen. Tani del që ka përgjime që tregojnë se ata kanë qenë të përfshirë dhe në kontakt me grupin rebel. Ka shumë gjëra të paqarta, por për gjithë situatën e krijuar, ai duhet të japë dorëheqjen. Krejt e kundërta! Ai përmes këtyre dorëheqjeve përpiqet të shpëtojë veten; duke bërë ndryshime në qeveri, ai mban pushtetin. Mendoj se duhet të shkohet në zgjedhje për të parë nëse mund të ketë stabilitet e shpresë për pastrim nga korrupsioni.

Rama dhe Thaçi do të shkonin në Tetovë për të marrë çmimin “Honoris Casa”. Ceremonia u shty, por a nuk mendoni se mbase duhej të kishin shkuar për të ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e shqiptarëve, apo kjo do të kishte efekt të kundërt?
Nuk është momenti për të shkuar ata. Takimi do mbahej në një universitet. Në këto rrethana, ajo do shihej si një përkrahje për pushtetin dhe partitë. Nuk i mbron njerëzit duke shkuar atje, ku do vinin zyrtarë, do vinte Ali Ahmeti, Menduh Thaçi apo të tjerë. Ndaj, nuk qe momenti as për Ramën e as për Thaçin. Është një tendencë tani aty ku shqiptarët janë pakica e ku janë të pafuqishëm, që të kërkojnë një lloj lideri, apo një “baba” jashtë, e kjo do i shtynte Ramën a Thaçin që të marrin përsipër, atë që ata me votën e tyre, duhet t’ua delegojnë njerëzve të tjerë. Shqipëria e ka deklaruar dhe Rama është shprehur se nuk ka ambicie paternaliste.

Paçka deklaratës për bashkim në BE apo bashkim klasik?
Kjo është tjetër gjë. Interesi kombëtar është diçka që i brengos të gjithë.

Pra, nëse marrim një krahasim nga historia, rasti i Zogut, ai është kryeministri i Shqipërisë, jo i shqiptarëve?
Po, dhe si kryeministër i Shqipërisë mund të reagojë për çdo padrejtësi që u bëhet shqiptarëve kudo. I intereson që të ketë një shtet fqinj stabil dhe ku mund të krijohet ambient i sigurt dhe i frytshëm për të gjithë ata që jetojnë në rajon. Paternalizmi tingëllon keq dhe nuk është zgjidhje. Ka forca imagjinare, e ekstreme që provokojnë situata që të na sjellin ato që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi para dy dekadave. E ato janë të rënda e nuk sjellin përfitime. Ne e dimë se shqiptarët janë më mirë se më 1990-ën, madje duhet shfrytëzuar kjo klimë për të përmirësuar statusin. Nëse kërkojmë ashpërsimin e raporteve dhe luftëra etnike, i humbim ato që kemi dhe përkrahjen, dhe do bëhemi faktor i rrezikshëm, siç propagandojnë disa.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: