Nga ELIONA KODRA* SHKODËR- Prindërit e nxënësit të dhunuar nga mësuesja në shkollën “Prek Gjoni” në Bajzë kanë refuzuar të bëjnë denoncim ndaj mësueses. Jo vetëm kaq, por komuniteti i prindërve të nxënësve të shkolles 9-vjeçare, ku është filmuar videoja që dëshmonte dhunën e mësueses, kërkojnë rikthimin e kësaj të fundit, duke e cilësuar të aftë në profesionin e saj. Shumë prej tyre fajësojnë fëmijët pëer sjelljet e tyre në shkollë, ndërsa disa e konsiderojnë videon montim të vetë nxënësve.

Drejtori i shkollës Gaspër Deda, vlerëson mësuesen për profesionalizmin e saj dhe punën e kryer në këtë shkollë, por shton se sipas ligjit, ushtrimi i dhunës fizike ndaj nxënësve është i papranueshëm.

“Mësuesja Suela Piranaj, ka 13 vite pune dhe është ndër më të mirat por dhuna është e dënueshme dhe e pajustifikueshme nga ana ime”, tha Deda

Ndërsa kryetari i Bordit të prindërve të kësaj shkolle, Gjok Luli tha se mësuesja duhet kthyer patjetër në punë. “Gëzoj një respekt të jashtëzakonshëm dhe mendoj se kjo mësuese duhet të kthehet patjetër në punë”, tha Luli.

Videoja ku shfaqet mësuesja e matematikës Suela Piranaj, duke ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi të klasës së 7-të, të shkollës 9-vjeçare “Prek Gjoni” u publikua fillimisht në rrjetet sociale, e më pas në mediat online dhe ato vizive. Ndërkohë pas verifikimeve, Ministria e Arsimit pezulloi mësuesen, ndërsa ndaj saj nisi edhe ndjekja penale në gjendje të lirë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb