Nga: Andon ANDONI

Kohë më parë, i ndodhur në një grup njerëzish që kishin për mision të kontrollonim infrastrukturën shkollore, mbarëvajtjen e ndërtesave dhe mënyrën e investimit ndaj tyre, kryesisht në zonat rurale, e ku pjesë e grupit ishin e disa të huaj nga Bashkimi Evropian, që pyesnin jo pa habi dhe kureshtje.

Xhamia apo kisha, që ndonjëherë janë vetëm fare pak metra më tej se shkolla, janë të reja dhe fort mirë të pajisura e të mirëmbajtura, kurse shkolla krejt e kundërta e tyre, e mirëmbajtur keq, pa banja, pa dritë… Gjithçka e lënë në derën e shtetit?! Nuk arrijmë ta kuptojmë këtë indiferencë të shqiptarëve për të rindërtuar e mirëmbajtur shkollën, kurse krejt të kundërtën bëjnë për kishën dhe xhaminë!?

M’u kujtua kjo histori këto ditë kur Ministria e Arsimit Sporteve dhe Rinisë, për herë të parë gjatë këtyre gati 30 viteve ka promovuar disa nisma për të afruar komunitetin ndaj shkollës dhe për ta nxjerrë nga indiferentizmi i kahershëm, saqë jo vetëm janë shpresëdhënëse, por në bindjen time, jemi tejet vonë për të vendosur raporte të drejta të këtij komuniteti me institucionet e tilla të besimit dhe dijes, si: shkolla, kisha dhe xhamia.

Projekti “Shkolla Qendër Komunitare” e nisur vite më parë, “Pjesëmarrja e prindërve në hartimin e planeve vjetore të shkollës”, si dhe pilotimi i “Shkolla me kohë të plotë studimi dhe dreke falas” për fëmijët janë disa nga arsyet që më bëjnë të besoj se më së fundi, goditja e sjelljes indiferente të shoqërisë ndaj shkollës po troket si dikur në kohët më të vlera të saj.

“Në të gjithë Shqipërinë, – thuhet nga ministria – planet shkollore do të jenë produkt i një pune të përbashkët mes mësuesve dhe prindërve. Sa më shumë prindërit e mësuesit të jenë bashkë për të ndarë e zhvilluar përgjegjësi të reja, aq më shumë arritjet e fëmijëve bëhen të dukshme dhe aq më shumë afrimi i qytetarëve pranë dyerve të shkollave iu shërben fëmijëve dhe rrit cilësinë e merituar në arsim”.

Mund të ketë edhe dyshime për rrugët dhe mënyrën e ofertimit ndaj këtij prindi, siç kam edhe unë, që druaj se mendimi i çobanit të fshatit tim, Likut, mund t’i sugjerojë ndonjë gjë të vlerë mësuese Anilës, në lidhje me planin vjetor të shkollës?! Kjo është një gjë, porse që edhe këta të fundit duhet të shohin ndonjëherë derën e shkollës dhe klasës ku mësojnë fëmijët e tyre, se ndoshta do t’iu duhet të zbresin nga mali disa nga bimët e rralla për herbariumin e shkollës, është më së paku, një urë komunikimi e munguar krejt mes palëve. Do rrekemi të dëftojmë edhe pak histori, në marrëdhënien e shqiptarit me shkollën, për të kuptuar se sa imediatë është sot gjetja e rrugëve efikase të ofrimit të komunitetit pranë shkollës dhe problematikës së fëmijëve në kohët e reja, për të cilën politikat e ministrisë duhen përshëndetur.

Është i njohur fakti që në fillimet e Rilindjes Kombëtare dhe deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, shkollat shqiptare u çelen, u ndërtuan, u financuan nga vetë shqiptarët, thuajse pa ndihmën më të vogël qeveritare, madje kjo edhe i pengoi ato.

“Në Elbasan qeveria (Xhonturke-AA) është detyruar të hapë përsëri shkollën tonë normale, – do shkruante patrioti Dervish Hima në prill të 1912-ës, – por jo me qëllime të mira, por për ta penguar lëvizjen tonë kombëtare. Sa për ne, kemi arritur të mbajmë e të krijojmë një shkollë fillore shqiptare në Elbasan, që frekuentohet prej më se 160 nxënësish. Haxhi Adil beu, ministri i varfër shëtitës i Turqisë së re, (ministri i Brendshëm-AA) e vizitoi shkollën tonë. Unë isha i pranishëm, meqë kisha arritur aty po atë ditë nga Cerma.(Cerma çiflig i Dervish Beut që ndodhet 10 kilometra larg Elbasanit) zoti ministër bashkë me shpurën e tij hyri në shkollë, që nuk është veçse një stallë… Në çastin kur ministri dhe shokët e tij të reformës donin të dilnin, një shqiptar i vogël 11- vjeçar u ngrit me mirësjellje të madhe dhe lexoi një fjalim, ku kërkohej një ndihmë për ndërtimin e një shkolle, që ata të mos vazhdonin të qëndronin në stallë. Ministri qeshi me ironi. Ai nuk iu përgjigj fare. Por në mbrëmje unë mësova se do të jepnin 300 lira turke për ndërtimin e shkollës, por që nuk u dhanë kurrë…”.

Kjo letër e Dervish Himës flet qartë se nga qeveritë e kohës, antishqiptare, as që mund të pritej gjë. Dhe vetë patriotët shqiptarë e dinin këtë.

“Për themelimin e kësaj shkolle (është fjala për çeljen e shkollës shqipe në Kruajë më 1912-AA) Esat pashë Toptani i Tiranës dha 250 napolona, Fuat beu 100, Abdi beu 100, Refik beu 50, Masar beu 50, Xhelal beu 50, Hamdi beu 50, Jusuf aga Elezi 100, ndërsa 300 u mblodhën aty-këtu. Popullsia si dhe shumë bejlerë do të ndihmojnë duke dërguar gurë dhe materiale të tjera të dorës së parë”.

Siç shihet, komuniteti i kohës ishte i gjallë dhe aktiv ndaj shkollës. Jetonte me të. Merrte frymë me të. Lartësohej dhe përparonte me të. Çështja e shkollimit të fëmijëve ishte jetike. Edhe misionarët e huaj si Kryqi i Kuq Amerikan, çifti Phileas Kennedy, misionarë austriakë, francezë dhe italianë donin ta bënin prindin pjesë në investimin ndaj shkollës. Në Elbasan synuan të ngrenë shkollën e parë të nivelit të lartë, Carnegiet me këmbënguljen e Çarls Telsford Eriksonit sipas modelit të Stambollit, me të vetmin kusht që komuniteti të ofronte së paku tokën për ndërtim falas. Shembuj, kur vetë katundet çelen shkollat anë e kënd vendit, me kontribute tërësish të tyret, duke kërkuar prej qeverisë vetëm mësuesit, madje ndonjëherë në pamundësi të përmbushjes së saj përdorën edhe hoxhën dhe priftin si mësues të përkohshëm janë pafund. “Shkollën e vashave në Korçë, – pohonte Sevasti Qirjazi,- e mbronin ditë e natë tërë qyteti”. Pa dorën e komunitetit, pa të madh e të vogël të ngritur në këmbë, nuk do të kishte shkollë shqipe.

Shkolla kisha dhe xhamia deri në kohën kur shteti komunist shqiptar shtetëzoi çdo gjë, pronën private, zejtarinë, fabrikat, shtypin, tregun dhe prishi kisha e xhamia, patën shkuar dora-dorës të tria. Pastaj gjithçka i takoi shtetit. Babai dhe nëna u tërhoqën nga dyert e shkollës. Barra i ra vetëm mësuesit. Gjersa edhe në kinemanë e asaj kohe një personazh-fëmijë deklaronte; “i shtetit jam!” Propaganda komuniste i “mbajti larg” prindërit, që kishin për detyrë vetëm të lindnin sa më shumë fëmijë ushtarë për Partinë se pastaj kujdesej shteti, i barabartë për këdo. Motoja se “fëmijën ia kam dorëzuar shkollës dhe mësuesit janë përgjegjës për edukimin e tij”, ishte një nga parullat e ditës. Prindi “mbahej i informuar” për fëmijën e tij deri në arë dhe në kantier prej mësuesit, që porositej pa të keq që “t’ia tërhiqte veshin dhe madje ta rrihte nëse nuk mësonte!”. Kjo ishte detyrë e tij. Prindi kishte detyrë të ndërtonte dhe mbronte atdheun.

Vitet ‘90 sollën qasje të re për shkollën, por nëse vetë komuniteti i mësuesve filloi me hapa të shpejta të përshtatej dhe ambientohej me nevojat dhe pritshmërinë, në shumicën dërmuese prindi mbeti sërish në llogoren e vjetër ku, “përgjegjësi kishte shkolla për edukimin e fëmijës së tij”.

Për kujdesin ndaj infrastrukturës, ku mund të kontribuonte edhe ai, prindi as që bëhej fjalë edhe në këto vite. Për inerci të kohës së shkuar, iu kërkua shtetit të bënte gjithçka, edhe shkollën, edhe mirëmbajtjen, edhe menaxhimin. Prindi mbeti sërish sehirxhi. Hallet e shumta dhe rropatjet për të gjetur vendet të reja pune, tashmë jashtë planifikimeve të dikurshme e bënë që të vijonte të shkëpuste krejt mendjen nga shkolla ku i mësonin fëmijët.

Ishte fat për shkollën nëse ndonjë nga fëmijët “bindte” babin biznesmen që të ndihmonte për të vënë xhamat e dritareve apo për të riparuar derën e klasës. Por jo në pak rasteve, babai ofrohej pranë shkollës se e dinte që kjo ndihmesë nuk do t’i shkonte dëm, kur kushtet e reja kishin në themel “kërkesë ofertën”. Ata që u interesuan vërtet për shkollën ishin individë që pretendonin se shkolla ishte ndërtuar në tokën e tyre dhe ndodhi që t’i vinin kyçin! Ndërsa sot që të gjithë rezultojnë të jenë roje e sanitarë të shkollave për kompensim të kontributit që patën dhënë! Ka edhe shembuj mbështetës dhe pozitivë nga prindërit, kryesisht në drejtim të rregullimit të mjediseve shkollore dhe infrastrukturës, por ajo që mendojmë se është vlerë në nismat e fundit të Arsimit është fakti se po ftohet komuniteti që të bëhet pjesë aktive e problematikave të vetë shkollës, të ndjejë frymën e saj, të dijë se çfarë dhe si e organizojnë orën e mësimit fëmijët e tyre në klasë dhe nëpër veprimtaritë jashtëshkollore. Prindi është gjithçka. Le të kujtoj se shumëkush e ve re që gjimnazistët pinë duhan për shtatë palë qejfe në kafene, ku vetëm një tavolinë me tutje ndodhen mësuesit e tyre krejt të pafuqishëm t’iu kujtojnë se është shkelje e rëndë e rregullores së shkollës, por nëse tek ajo tavolinë e mësuesve do uleshin më shpesh prindërit e tyre, nuk do tymoste askush!

Ndaj, mendojmë se kontaktet e përditshme të tyre me prindër do jetë një hap në drejtimin e duhur për modernizimin e shkollës. Për të ditur tani jo vetëm ku pikon çatia e vet, por edhe ajo e shkollës ku ka fëmijën për kohën më të madhe të ditës. Nga ana tjetër, këto nisma të reja kërkojnë që dyert e shkollave të mbeten të hapura deri në pasditet e vona. Psikologët e shkollave tashmë të kudogjendur, edhe në shkollat e katundeve më të thella, ku plotësohen kriteret, duhet të jenë “më miqësorë” dhe leva të vërteta lëvizëse në këtë drejtim. Kjo do të bëjë që prindërve “t’iu bjerë rruga” më shpesh nga shkolla, çdo ditë, se sa nga kisha dhe xhamia, një herë në javë./Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb