TIRANE– Nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra Dashamir Saraçi, pas djegieve që pësoi në një spital privat në Tiranë, dy ditë më parë. Ai ishte shënjestra e zjarrvënies në shërbimin e hemodializës. Ka shkuar kështu në 4 numri i personave që humbën jetën si pasojë e zjarrit të shkaktuar nga njëri nga pacientët, i cili i hodhi benzinë shokut të tij të dhomës, e më pas i vuri flakën.

Ndonëse në gjendje tepër të rëndë, Dashamir Saraçi, një ditë më parë në një komunikim të vetëm dhe të shkurtër që ka pasur me hetuesit, mësohet se ka hedhur poshtë konfliktet me autorin e ngjarjes Lefter Canaj.

Një ditë më parë u nda nga jeta edhe autori i zjarrvënies, Lefter Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë.

SI NDODHI NGJARJA
Lefter Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë, për motive ende të paqarta pasi ka mbaruar mjekimin, rreth orës 11:00, është rikthyer tek pavioni i Hemodializës, ku me vete ka pasur një shishe me lëndë djegëse “benzinë”, lëndë të cilën ka filluar t’ja hedhë në të gjithë trupin e shtetasit D. Saraçi, i cili ka qenë duke marrë mjekim në krevat dhe më pas i ka vënë flakën.

Flakët kanë përfshirë të gjithë pavionin e Hemodializës, ku nga flakët e shumta dhe tymi i madh në këtë ambient kanë gjetur vdekjen Sanije Sulaj, 65 vjeç, banuese në Mamurras, dhe Anife Mali, 55 vjeç, banuese në Laç.

Ndërkohë, u plagosën D. Saraçi, 38 vjeç, banues në Tiranë, dhe Lefter Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë. Të dy si autori, edhe shënjestra ndërruar jetë pas ngjarjes.
Nga zjarri mbetën të asfisksuar 25 persona.

HETIMI
Pavarësisht pohimit të bërë një ditë më parë nga Dashamir Saraçi në kontaktin e tij me hetuesit e Policisë, Prokuroria theksoi dje se ka nevojë për hetime shtesë në lidhje me motivin e ngjarjes tragjike në spital.

Në pyetje do të merren familjarët e autorit të krimit, Lefter Canaj, si dhe familjarët e shënjestrës së zjarrit. Grupi i hetimit ka dyshime se ngjarja mund të jetë edhe pasojë e ndonjë momenti kritik emocional apo psikologjik nga ana e 57-vjeçarit Lefter Canaj. Dyshimet kryesore, ndonëse ende pa prova, janë se ai mund ta ketë përjetuar keq kohët e fundit faktin se shërbimi i hemodializës mund t’i jetë dhënë Dashamir Saraçit para tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: